Pas rreth pesë orësh përpjekjesh intensive, është shuar zjarri që përfshiu një ndërtesë pranë Parkut të Qytetit.
Si pasojë e zjarrit, tre zjarrfikës kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa janë lënduar edhe dy qytetarë, mes tyre një fëmijë, i cili është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Trajtim mjekësor po merr edhe kryefamiljari.
Kështu bëri të ditur gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri, i cili tha se në vendin e ngjarjes vazhdojnë të jenë të angazhuara ekipe të shumta zjarrfiksëve.
“Në vendin e ngjarjes aktualisht ndodhen mbi 10 kamionë të zjarrfikësve, si dhe tri automjete të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit.
Më herët në ndihmë kishin ardhur edhe ekipet e zjarrfikësve nga Komuna e Lipjanit”, tha Tahiri.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet pritet të nisin hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.






