Prishtina ka zyrtarizuar afrimin e parë për sezonin e ri, duke arritur marrëveshje me Kastriot Selmanin.
Futbollisti 26-vjeçar rikthehet te bardhekaltrit, klubi ku hodhi hapat e parë në futboll dhe ku kaloi të gjitha grupmoshat deri te ekipi i parë.
Selmani u prezantua nga drejtori i ri sportiv i Prishtinës, Mentor Zhdrella, i cili nisi zyrtarisht detyrën e re duke i uruar mirëseardhje lojtarit që kthehet në klubin e tij të formimit.
Gjatë karrierës së tij, Selmani ka luajtur në Kosovë për Dritën dhe Llapin, duke fituar edhe trofe, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Egnatias, me të cilën u shpall kampion i Shqipërisë.
Me skuadrën nga Rrogozhina, mbrojtësi regjistroi 42 paraqitje në të gjitha garat, duke luajtur në kampionat, Kupën e Shqipërisë, si dhe në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Përvoja e fituar në arenën ndërkombëtare pritet të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën prishtinase.
Pas prezantimit zyrtar, Selmani shprehu emocionet për rikthimin në kryeqytet.
“Rikthimi në Prishtinë për mua ka një domethënie të veçantë, pasi kthehem në vendin ku filluan ëndrrat e mia dhe ku ndërtova bazat e rrugëtimit tim sportiv. Ndihem i privilegjuar që do të kem mundësinë të vesh përsëri këtë fanellë dhe të kontribuoj për arritjen e objektivave të klubit”, deklaroi Selmani.
Me këtë transferim, Prishtina nis ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, ndërsa rikthimi i Selmanit shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin defensiv të ekipit.






