Ish-menaxheri i këngëtares Era Istrefi, Faton Shoshi, ka rrëfyer për herë të parë detaje rreth përfundimit të lidhjes mes tyre, duke hedhur poshtë çdo spekulim për konflikte apo debate. Gjatë një interviste për “RTV Dukagjini”, Shoshi theksoi se ndarja ka qenë miqësore dhe profesionale.
Në një gjest që tregon vlerësim dhe mirënjohje, Era i ka ofruar ish-të dashurit dhe ish-menaxherit të saj 20% të fitimeve të këngëve që kanë realizuar së bashku, një propozim që ai ka refuzuar.
“Kur kam ndaluar bashkëpunimin me Erën, ajo më ofroi 20% gjithë jetën. Më tha: ‘Unë punën tënde nuk e harroj’ dhe deshi ta formalizonte këtë edhe me kontratë. Por unë u tregova ‘fair’ dhe i thashë që nuk i dua,” tha Shoshi.
Ai gjithashtu e përshkroi këngëtaren si një artiste që i kushton rëndësi autenticitetit dhe pasionit në muzikë, duke mos u përqendruar vetëm te klikimet dhe sukseset.
“Era nuk ka për qëllim të bëjë këngë që vetëm klikohet, por kërkon gjithmonë që të gjejë veten në atë që bën.”