Familja e Triumf Feratit i cili u gjet pa shenja jete të dielën pasdite në varrezat e fshatit Gurakoc të Istogut nga sot kanë filluar të presin vizitor për ngushëllime ndërsa varrimi i tij do të bëhet të martën më 26 mars. Policia e Kosovës rastin mbi vdekjen e Feratit po vazhdon ta hetoj.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati ka njoftuar se të hënën më 25 mars presin vizita ngushëllimi për vdekjen e vëllait të tij, ndërsa të martën më 26 mars sipas tij do të bëhet varrimi.
“Ju njoftojmë se me rastin e ndarjes nga jeta e të dashurit tonë Triumf Ferati. Presim vizita ngushëllimi sot me datën 25 Mars 2024, duke filluar nga ora 8:00 deri në ora 16:00 në Restaurant Tradita në Gurrakoc. Ndërsa varrimi i më të dashurit tonë, vëllaut tim Triumfit, bëhet nesër me datë 26 mars 2024 në ora 14:00 në varrezat e fshatit në Gurrakoc”, ka njoftuar ai.
Derisa zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për KosovaPress, se rasti mbi vdekjen e Triumf Feratit po vazhdon të hetohet.
“Mund të shtojmë që trupi i pa jetë me urdhër të prokurorit të shtetit ka shkuar në IML. Rasti është cilësu hetim mbi vdekjen”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, Ferati ishte gjetur pa shenja jete të dielën pasdite në varrezat e fshatit Gurakoc të Istogut.
Për vdekjen e Feratit, ka pasur reagime të shumta nga krerë institucional e partiak.
Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shprehur ngushëllime për familjen Ferati.
“Na tronditi e pikëlloi thellë lajmi për humbjen e Triumf Feratit. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Ferati, shokët e shoqet e Triumfit dhe mbarë Istogun. Shpresoj të mund të gjeni forcën në kujtimet e bukura me të”, ka shkruar Kurti.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka reaguar duke e cilësuar si dhimbje të madhe ndarjen nga jeta të “aktivistit” Ferati.
“Në momente si këto, njeriu ngrinë nga fjalët. Përballë dhimbjes së madhe e trishtimit të thellë, ato humbasin gjithë peshën. Sot, s’kam fjalë për të përshkruar dhimbjen për humbjen tonë e tuajën! Triumf Fadil Ferati, na la. Iku herët. Me të na iku dhe një mik, një aktivist e një njeri i jashtëzakonshëm. Pas vete na la veçse kujtimet, ato që të përmallojnë në plotni. Triumfi, apo Trimi siç e thërrisnim të gjithë, ishte një djalë i urtë e i dashur – ai gjithnjë rrezatonte përplot ngrohtësi”, ka shkruar ai