Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka shkruar në Facebook për Albin Kurtin dhe Edi Ramën.
Ai ka përshkruar ngjashmëritë e tyre, duke thënë se të dytë udhëheqin parti të majta, kanë prirje autoritare dhe kanë arsimim universitar relativisht modest.
Tutje, Sadiku ka thënë se Kurti dhe Rama kanë dëshmuar që dinë të fitojnë zgjedhje, por jo edhe të ndërtojnë shtet.
Postimi i plotë:
Në esencë, nuk ka shumë dallim mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit.
Të dy udhëheqin parti të majta. Të dy kanë prirje autoritare. Të dy kanë arsimim universitar relativisht modest. Rama në Universitetin e Tiranës, Kurti në atë të Prishtinës. Katër vite studime në universitete që sot renditen ndër më të dobëtat në Evropë.
Kurti flet dy gjuhë të huaja, Rama tri.
Rama, të paktën, ka krijimtari artistike pas vetes. Piktura, ekspozita dhe vepra që mund të vlerësohen apo kritikohen. Kurti, deri më sot, nuk njihet për ndonjë krijimtari të ngjashme. As libër, as pikturë, as ndonjë vepër tjetër artistike.
Në politikë, të dy janë fitues të mëdhenj elektoralë. Rama me rreth 52%, Kurti me rreth 47%.
Të dy kanë ndërtuar modele qeverisjeje ku pushteti përqendrohet rreth një njeriu. Institucionet, agjencitë dhe ndërmarrjet publike trajtohen si zgjatime të partisë. Besnikëria politike shpesh duket më e rëndësishme se profesionalizmi.
Të dy përzihen në politikën e shqiptarëve jashtë kufijve të shteteve që udhëheqin. Veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, ku në vend të bashkimit shpesh kanë kontribuar në përçarje.
Kurti përfshihet në organizimin politik në Shqipëri. Tjetri zhvillon takime me Vuçiqin. Pastaj i pari ia kthen me Mickoskin. Dhe kështu vazhdon gara e tyre e protagonizmit rajonal.
Të dy i përdorin shqiptarët e Luginës së Preshevës për fotografi, deklarata dhe propagandë politike.
Të dy flasin për dronë, inteligjencë artificiale, siguri kombëtare dhe gjeopolitikë. Flasin sikur po e projektojnë të ardhmen e Evropës.
Ndërkohë, në vendet që udhëheqin, qytetarët ende përballen me probleme elementare: ujë të pijshëm, arsim me rezultate ndër më të dobëtat në Evropë, spitale në gjendje të rëndë dhe institucione që nuk ofrojnë shërbime dinjitoze.
Flasin për teknologjinë e së ardhmes, ndërkohë që nuk i kanë zgjidhur problemet e së tashmes.
Këtu qëndron paradoksi më i madh.
Rama dhe Kurti janë sot dy nga politikanët më të fuqishëm shqiptarë. Kanë vota, pushtet, ndikim dhe kontroll të jashtëzakonshëm politik.
Por fuqia nuk të bën domosdoshmërisht lider. Fitorja në zgjedhje nuk është dëshmi e suksesit në qeverisje. Dhe patriotizmi nuk matet me flamuj, fotografi e fjalime.
Pushtetin mund ta fitosh duke e përçarë një popull. Por lider bëhesh vetëm kur arrin ta bashkosh dhe ta zhvillosh atë.
Këta të dy e kanë dëshmuar se dinë të fitojnë zgjedhje.
Ende nuk e kanë dëshmuar se dinë të ndërtojnë shtet.
Politikanë të fuqishëm, po. Liderë, jo. E patriotë, edhe më pak.






