Është e qartë se Endrick nuk po kalon sezonin që kishte pritur kur u rikthye te Real Madrid pas një periudhe fantastike huazimi te Olympique Lyon.
Tre muaj pas fillimit të sezonit të ri, Endrick ka luajtur vetëm 141 minuta në ndeshjet zyrtare, duke hasur vështirësi për ta fituar besimin e Jose Mourinhos.
Në një ekip ku bëjnë pjesë yje si Kylian Mbappe, Vinicius Jr., Yan Diomande, Arda Guler dhe Jude Bellingham, vështirë se mund të fajësohet edhe trajneri.
Megjithatë, pavarësisht minutave të pakta në fushë, Endrick duket se është më se i lumtur te Real Madrid, siç ka bërë të qartë në një intervistë të fundit.
“Të luaj më shumë te Real Madrid? Këtë e vendos Mourinho, jo unë. Unë jam te Real Madrid, klubi më i mirë në botë”, ka thënë ai, sipas Fabrizio Romanos.
Reprezentuesi brazilian shkoi edhe më tej, duke thënë se e sheh veten te Real Madrid deri në fund të karrierës së tij.
“Shpresoj ta kaloj gjithë jetën time te Real Madrid”, deklaroi ish-talenti i Palmeiras, i cili që nga transferimi te madrilenët ka regjistruar gjithsej 47 paraqitje në ndeshje zyrtare.
Deklarata e Endrick është mjaft befasuese nëse merret parasysh situata e tij aktuale te Real Madrid, si dhe spekulimet rreth së ardhmes së tij.
Në fakt, braziliani është një nga lojtarët që mund të largohet nga Real Madrid gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin titullar.
Duhet theksuar se Endrick duket se është edhe prapa Carlos Espit në hierarkinë e skuadrës madrilene.
Pikërisht për këtë arsye, largimi i tij në janar nuk duhet përjashtuar, sidomos pasi AC Milan raportohet se po shqyrton mundësinë e një oferte prej 70 milionë eurosh për reprezentuesin brazilian.
Nëse Real Madrid e pranon ofertën, atëherë do të jetë në dorën e Endrick të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë të qëndrojë në bankën rezervë në “Santiago Bernabeu” apo të kërkojë një sfidë të re diku tjetër.






