Medica Gjakova, në kuadër të platformës “Be My Voice”, organizoi një aktivitet simbolik për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, raporton Ekonomia Online.
Pjesë qendrore e këtij aktiviteti ishte instalacioni “Ende këtu”, i përbërë nga 20 silueta të përmasave reale, të vendosura në hapësira publike, që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Çdo siluetë përmban një mesazh të vërtetë nga të mbijetuarit, të shkruar në tri gjuhët zyrtare të Kosovës: shqip, serbisht dhe anglisht me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe thyerjes së heshtjes rreth kësaj plage të thellë shoqërore.
Mesazhet e vendosura përfshijnë thirrje si “Ende duke kërkuar drejtësi”, “Ende këtu, mos më harro”, “Ende duke pritur drejtësinë!”.
Drejtoresha ekzekutive e Medica Gjakova, Mirlinda Sada, tha se instalacioni është realizuar për të përfaqësuar zërin e atyre që ende nuk kanë pasur guximin të flasin.
Ajo theksoi se edhe ata që kanë folur, vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe mungesë të përkrahjes.
“Në vendosëm që në kuadër të platformës ‘Bëhu zëri im’ të bëjmë këtë instalacion me titullin ‘Ende duke pritur’ dhe janë disa mesazhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale që ende nuk kanë gjetur guximin që të paraqiten për të kërkuar të drejtat e tyre. Edhe ata, të cilët janë paraqitur kanë ende mjaft të drejta të tjera për t’u bërë në mënyrë që shoqëria jonë t’i pranojë, të mos i stigmatizojë dhe faji pa të drejtë, i cili rëndon në supet e të mbijetuarve të kalojë te ata që kanë bërë krimin. Ky instalacion është përkrahur nga UNMIK-u dhe është një instalacion që do të qëndrojë sot këtu dhe pastaj do të vendoset në oborrin e Muzeut Castle këtu në Prishtinë”, tha Sada.
Fatime Gërxhaliu nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se kjo ditë ka rëndësi të veçantë për organizatën që ajo përfaqëson, pasi mbron të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Kjo ditë ka rëndësi të veçantë për ne, pasi organizata jonë punon dhe mbron të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Në kuadër të platformës ‘Bëhu zëri im’, është organizuar edhe ky instalacion, i cili u kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale. Shoqëria, sidomos përkrahja e familjes, është shumë e rëndësishme. Përkrahja e familjes, e shoqërisë dhe shtetit duhet të jetë e vazhdueshme, e cila ka nevojë ,edhe pse kanë kaluar 26 vjet”, tha ajo.
Ndërsa, juristja e Medica Kosova, Arbnore Shehu- Bunjaku, u shpreh se përmes këtij instalacioni me 20 silueta përfaqësohen 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Sot bëjmë thirrje për drejtësi, bëjmë thirrje për dinjitet, bëjmë thirrje për përkrahje në emër të 20 mijë grave dhe burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Me këtë instalacion me 20 silueta përfaqësojmë 20 mijë viktima për respekt dhe dinjitet”, tha ajo.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline