Ende asnjë reagim nga ambasadat për “konstituimin” e Kuvendit dhe zgjedhjen e kontestuar të qeverisë së re

- Advertisement -

Shpallja e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e një qeverie pak kohë më pas të dielën, duket se nuk e ka zgjidhur krizën politike në vend. Ambasadat në Kosovë nuk kanë bërë ende asnjë reagim për dy lajmet kryesore të së dielës.

Kuvendi u shpall i konstituuar të dielën, edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga Partia Demokratike e Kosovës.

Më shumë se një muaj pas nisjes së seancës konstituive, dhe më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje vendosi që ta përfundojë seancën konstituive me sukses, sipas tyre, megjithëse dy parti opozitare konsiderojnë se është shkelur Kushtetuta e vendit.

Në harkun e një periudhe tri orëshe, LVV-ja e shpalli të konstituuar Kuvendin, e propozoi Albin Kurtin për mandatar për formimin e qeverisë së re, dhe anëtarja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentit, e priti shefin e saj të partisë në Presidencë për ta mandatuar menjëherë.

Albin Kurti u rizgjodh kryeministër për herë të katërt, duke prezantuar përbërjen e njëjtë të Qeverisë dhe duke përsëritur ekspozenë e para shtatë muajve.

Qeveria e re e tij mori 62 vota, ndërsa 8 deputetë votuan kundër nga 70 sa ishin në sallë. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.

Kurti uroi disa herë në Kuvend, jashtë tij dhe në Facebook për qeverinë e re, zgjedhja e së cilës do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja, sikurse edhe konstituimi i Kuvendit.

Ambasadat e vendeve të huaja në Kosovë dhe Zyra e BE, të cilat kishin kërkuar nga liderët e partive politike dialog konstruktiv e bashkëpunim për formimin e shpejtë të institucioneve, nuk e kanë bërë ende asnjë reagim për këto dy lajme.

Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që kishte nisur më 6 gusht ishte ndërprerë atë muaj dy herë radhazi. Ai nuk e propozonte kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhej kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e kishte caktuar për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila ishte ndërprerë nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi, duke mos vazhduar deri pas javës së parë të shtatorit.

LVV-ja ka insistuar se seanca konstituive nuk do të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin dje me zgjedhjen e Kujtim Shalës së LDK-së dhe Tanja Vujeviqit të Listës Serbe si nënkryetarë.

PDK-ja dhe Aleanca nuk morën pjesë në atë seancë. PDK-ja tha se e pezullon kandidaturën e Vlora Çitakut – pasi LVV-ja ia refuzoi atë të premten për të ia pranuar të dielën – deri në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, të cilën e dërguan sot për shqyrtim.

Zyrtarë të PDK-së dhe Aleancës thonë se LVV-ja e zvarriti konstituimin e Kuvendit deri dje, me qëllimin që afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të fillojë të rrjedhë tash për të përfunduar në kohën e përshtatshme për t’i çuar zgjedhjet e reja në fund të dhjetorit, kur mërgimtarët zakonisht vijnë në Kosovë për pushime. /Express/

Të ngjashme

Të fundit