Përmes aludimeve, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka tingëlluar mjaft i indinjuar me emra–që nuk dihen–e përfolur për president në negociatat mes VV-së dhe LDK-së.
Gashi përmes një shkrimi foli për persona pa përvojë politike dhe të dështuar në politikën kosovare, pa përmendur emra.
“Të kërkosh ta sjellësh në krye të shtetit një person pa përvojë politike, ose dikë që ka pasur vite të tëra në dispozicion për të dëshmuar veten në politikë dhe nuk ka arritur të prodhojë rezultat, është më shumë se një zgjedhje e dobët,” shkroi ai.
“Por ka edhe një pyetje më të thellë: çfarë tregon për politikën tonë fakti që, për të drejtuar shtetin, kërkojmë emra që nuk janë marrë me politikë, ose njerëz që prej vitesh kanë dështuar në politikën aktive?,” shkroi ai.
Postimi i plotë:
Mjerimi i politikës
Një nga treguesit më të mëdhenj të varfërimit të politikës është kur një shoqëri e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë njerëz me vizion, përvojë dhe autoritet publik që mund të marrin përgjegjësinë për drejtimin e shtetit.
Por ka edhe një pyetje më të thellë: çfarë tregon për politikën tonë fakti që, për të drejtuar shtetin, kërkojmë emra që nuk janë marrë me politikë, ose njerëz që prej vitesh kanë dështuar në politikën aktive?
Të kërkosh ta sjellësh në krye të shtetit një person pa përvojë politike, ose dikë që ka pasur vite të tëra në dispozicion për të dëshmuar veten në politikë dhe nuk ka arritur të prodhojë rezultat, është më shumë se një zgjedhje e dobët.
Është shenjë e krizës së politikës së sotme dhe e varfërimit të mënyrës se si po e projektojmë të ardhmen.
Sepse shteti nuk drejtohet vetëm me reputacion, me emër apo me një biografi të mirë. Drejtimi i shtetit kërkon mendim politik, qëndrim, përvojë, vizion, aftësi për të marrë vendime dhe, mbi të gjitha, përgjegjësi publike.
Politika duhet të prodhojë njerëz të tillë, jo të detyrohet t’i kërkojë jashtë saj.
Duhet të ndërtojë figura që rriten përmes ideve, punës dhe përgjegjësisë; njerëz që dinë të mendojnë përtej një mandati, një partie apo një beteje të radhës.
Sepse politika e vërtetë nuk matet vetëm me atë se kush arrin në pushtet. Matet me çfarë njerëzish dhe çfarë standardesh lë pas.
Sot kemi nevojë për një politikë që të mos jetojë vetëm nga emrat e së kaluarës dhe kalkulimet e së tashmes, por të investojë në njerëzit që mund ta udhëheqin Kosovën në dekadat që vijnë.
Jo politikë e improvizimit.
Jo politikë e zëvendësimit të ideve me emra.
Por politikë e vizionit, përgjegjësisë dhe lidershipit.
Dhe ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm: kur politika nuk arrin të prodhojë liderët e së ardhmes, problemi nuk është vetëm te kandidatët. Problemi është te vetë politika.
E kjo është përgjegjësi e të gjithëve ne që merremi me të.
Sepse Kosova ka nevojë jo vetëm për njerëz që duan ta drejtojnë shtetin, por për njerëz që kanë dëshmuar se dinë ta ndërtojnë atë.






