Ngritja e vlerës së aksioneve të kompanisë “SpaceX” të premten nënkupton se pronari i saj, Elon Musk, është bërë trilioneri i parë në botë.
Aksionet e tij prej 38 për qind në “SpaceX” tani e kanë vlerën e rreth 800 miliardë dollarëve, pasi ajo u rrit për 20 për qind në tregtinë e hershme, ndërsa vlera e përgjithshme e kompanisë tani është mbi 2 trilionë dollarë, shkruan gazeta “The Guardian”.
Musk ka në pronësi edhe pak më shumë se 10 për qind të aksioneve në kompaninë “Tesla”, me vlerë të 165 miliardë dollarëve, si dhe mundësitë për të siguruar rreth 8 për qind të tjera, me vlerë të 114 miliardë dollarëve, sipas përllogaritjeve të revistës “Forbes”.
“Forbes” kishte llogaritur se pasuria e Muskut ishte rreth 980 miliardë dollarë para se të fillonte tregtia me aksionet e kompanisë “SpaceX”, prandaj nevojitej vetëm një rritje e vogël e vlerës së aksioneve të premten për ta arritur figurën trilionëshe.
Musk ka aksione edhe në kompaninë e tij të re, “Neuralink”, dhe në kompaninë “Boring Company”, si dhe ka pasuri nga shitjet e mëparshme të aksioneve në “Tesla”.
Organizata “Oxfam” ka paralajmëruar se rritja e pasurisë së Muskut në mbi një trilion dollarë shënon “një ditë të errët për demokracinë”.






