Shkencëtarë dhe organizata ndërkombëtare kërkojnë masa më të forta mbrojtëse për lojtarët dhe tifozët gjatë Botërorit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ekspertë të klimës, mjekësisë sportive dhe performancës fizike kanë paralajmëruar se temperaturat ekstreme mund të paraqesin rrezik serioz gjatë Kupës së Botës 2026, që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas tyre, masat aktuale të FIFA-s nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur lojtarët dhe tifozët nga efektet e të nxehtit ekstrem, shkruan 20min.ch, transmeton albinfo.ch.
Një grup shkencëtarësh ka kritikuar protokollin aktual të FIFA-s për vapën, duke argumentuar se ai nuk pasqyron plotësisht rekomandimet më të fundit shkencore. Ata kërkojnë pushime më të gjata për hidratim, ndërprerje të ndeshjeve në kushte ekstreme dhe zhvendosjen e disa takimeve në orët e mbrëmjes.
Paralajmërime të ngjashme kanë ardhur edhe nga Sekretariati i Klimës i OKB-së, i cili vlerëson se rreth një në katër ndeshje të Botërorit mund të zhvillohet në kushte të rrezikshme të nxehtësisë. Sipas ekspertëve, rreziku më i madh nuk qëndron vetëm në fushë, por edhe jashtë stadiumeve, ku tifozët mund të ekspozohen për orë të tëra në temperatura të larta në fan-zona, radhë pritjeje, parkingje dhe zona transporti.
Studime të fundit sugjerojnë se deri në 26 nga 104 ndeshjet e turneut mund të luhen në kushte që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta mund të ndikojnë jo vetëm në sigurinë e pjesëmarrësve, por edhe në cilësinë e lojës, duke sjellë ritëm më të ulët, më shumë zëvendësime dhe pushime të shpeshta për hidratim.
Debati për kushtet klimatike është bërë një nga temat kryesore para nisjes së turneut më të madh në historinë e futbollit, ku për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare.






