Policia e Kosovës ka 799 zyrtarë me gradën e rreshterit dhe 292 me gradën e togerit, ndërsa në të dyja këto grada vazhdojnë të ketë pozita të lira.
Për shkak të nevojave operative dhe menaxheriale, disa pozita mbulohen nga zyrtarë me gradë më të ulët, në cilësinë e ushtruesve të detyrës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Ekonomia Online.
Ekspertë të sigurisë dhe ish-zyrtarë policorë vlerësojnë se vonesat në procesin e gradimeve krijojnë zbrazëti në zinxhirin komandues dhe ndikojnë në funksionimin e Policisë së Kosovës. Ata kërkojnë që procedurat për avancimin e zyrtarëve policorë të përmbyllen sa më parë, duke paralajmëruar se mungesa e rreshterëve dhe togerëve mund të ketë pasoja edhe në sigurinë publike.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, konsideron se rreshterët dhe togerët kanë rol kyç në funksionimin e strukturës organizative të Policisë së Kosovës, veçanërisht në aspektet operative dhe taktike.
“Padyshim, ne do të duhet të analizojmë strukturën organizative të Policisë së Kosovës, ku dihet që në kuadër të saj baza kryesore e proceseve, të cilat garantojnë që mbarëvajtja e këtij organograme institucional janë rreshterët dhe togerët, të cilët luajnë një rol tejet të rëndësishëm sa i përket aspekteve operative, taktike në terren. Prandaj, mungesa e një numri të madh të rreshterëve dhe togerëve, do të thotë barteja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia do të jetë minimale, sepse kemi vetëm ushtrues detyre të këtyre funksioneve të zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës. Prandaj, ne do të duhet të mendojmë që Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht struktura e re udhëheqëse e Policisë së Kosovës, një proces të tillë ta përmbyllë sa më parë që është e mundur, për ta minimizuar në aspektin e krijimit të një vakumi këtij institucioni. Dihet që rreshterët janë të parët të cilët mblidhen në vendin e ngjarjes dhe janë përgjegjës për policët në terren. Kuptohet qartë ashtu si togerët janë pjesë udhëheqëse të një sektori apo të një stacioni, apo stacioneve policore, apo sektorëve të hetimeve dhe mungesa e gjithë këtyre e krijon këtë vakum, i cili është tejet i rëndësishëm sa i përket mbarëvajtjes së proceseve”, tha Shala.
Tutje, ai paralajmëron se çdo vonesë në këtë proces mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë publike dhe atë nacionale, meqë sipas tij krijohen zbrazëti në përgjegjësi dhe llogaridhënie.
“Prandaj, çdo vonesë, çdo prolongim i mundshëm i këtij procesi determinon dhe afekton drejtpërdrejt çështje të sigurisë publike dhe asaj nacionale, sepse mekanizmi më pastaj krijon vakume të cilat e pengojnë rrjedhën e procesit, por njëkohësisht edhe lënien e marrjes së përgjegjësisë së duhur për punën dhe funksionet që zyrtarët policorë kanë”, shtoi Shala.
Eksperti i sigurisë ka kritikuar kritikon edhe praktikën e emërimit të ushtruesve të detyrës për periudha të gjata, duke thënë se kjo mënyrë e udhëheqjes e dobëson llogaridhënien institucionale.
“Dihet që në Republikën e Kosovës është krijuar një kult që krijojmë ushtrues detyre me mandate të tëra, dhe pikërisht kjo mundësi e këtij ushtrimi të U.D.-së, pra vendosja në sektor, në udhëheqje, është një neglizhencë menaxheriale, është një neglizhencë e marrjes së përgjegjësisë, sepse përmes kësaj bartet apo shfaqet edhe dështimi, sepse udhëheqja e lartë e Policisë së Kosovës, në qoftë se ushtron apo mban funksione me U.D., atëherë barra dhe përgjegjësia do të mund të minimizohen dhe llogaridhënia do të mund të jetë minimale. Prandaj, ky sistem dhe ky modalitet i U.D.-ve do të duhet të largohet brenda sektorëve të sigurisë dhe mos të ekzistojë fare, pra në momentin që ka ndryshim, të ketë mandat të plotë, të ketë edhe në aspektin e llogaridhënies juridiksionin të jetë efektiv, efikas për të arritur rezultatet e duhura”, potencoi ai.
Edhe ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina vlerëson se gradimet janë të domosdoshme për të mbuluar pozitat e lira dhe për të siguruar funksionimin e duhur të stacioneve policore dhe niveleve rajonale.
“Është shumë e nevojshme që në Policinë e Kosovës të kemi gradime, sidomos gradës Rrështër edhe gradave operative, të cilat në një mënyrë apo tjetër mbulojnë stacionet policore. Prandaj, unë e mendoj se një konkurs i shpejtë për mbulimin e këtyre vendeve të punës me gradime do të jetë i mirëseardhur, për arsye se është një zbrazëti e tërësishme operacionale, si në stacionet policore, ashtu edhe në nivele rajonale”, thotë Morina.
Sipas Morinës, mungesa e zyrtarëve me gradën e rreshterit bën që këto pozita të mbulohen edhe nga policë që nuk e kanë kaluar këtë gradë, çka, sipas tij, ndikon në profesionalizmin dhe rezultatet e institucionit.
“Në zinxhirin hierarkik mungesa e rreshterëve bën që në kuadrat e tyre të merren njerëz ose policë të cilët nuk kanë kaluar në gradën rreshter, edhe kanë pak profesionalizëm, edhe kjo pastaj minimizon edhe suksesin e Policisë së Kosovës”, shtoi.
Për Morinën, mungesa e gradimeve nuk kufizohet vetëm te rreshterët, por prek edhe gradat e tjera udhëheqëse, megjithëse më e theksuar është te rreshterët.
“Unë e mendoj se shërbimet mbështetëse, shërbimet të cilat në një mënyrë apo tjetër, shërbimet të cilat për kujdesin për karrierën e policisë në tërësi, do të thotë gradimet prej gradës më ulët deri në gradën më lart, për arsye se kemi mungesë të gradimeve, do të thotë prej rrështër, kemi toger, kapiten, major, edhe gradën kolonel. Do të thotë në të gjitha gradat kemi mungesë, por më së shumti mungesë kemi të rreshterë”, tha ai.
Ne anën tjetër, në një përgjigje për Ekonomia Online, zyra per media e Policisë ka bërë të ditur se sipas strukturës organizative ka pozita të lira për të dyja gradat, ndërsa më së shumti prej tyre janë në departamentet me numrin më të madh të personelit, siç është ai i rendit publik.
“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se në Policinë e Kosovës (PK) aktualisht janë 799 zyrtarë me gradë rreshter dhe 292 zyrtarë me gradë toger. Sipas Strukturës Organizativë ka pozita të lira edhe për gradën rreshter dhe për gradën toger. Pozita të lira më shumë për këto dy grada, kanë departamentet më të numrit me të lartë të personelit sipas strukturës organizative, siç është rendi publik. Policia e Kosovës për çdo pozitë të lirë sipas Udhëzimit Administrativ, ka të drejtë të zëvendëson me një zyrtar me gradë më të ultë si ushtrues detyre deri në plotësimin e saj. Për shkak të nevojave policore, operative dhe menaxheriale ka zyrtarë për rreshter dhe toger si ushtrues detyre. Konkurset kanë qenë publike dhe mund tu referoheni te njëjtave, e të cilat sipas procedurave/vendimeve janë anuluar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Procesi i gradimeve në Policinë e Kosovës është përcjellë me pengesa edhe në vitet e kaluara. Në shkurt të vitit 2024, Policia kishte shpallur konkurs për 350 pozita të rreshterëve, por ai ishte anuluar në korrik të po atij viti, pas gjetjeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili kishte evidentuar parregullsi në zbatimin e kritereve të konkurrimit.
Ndërkaq, në maj të vitit 2026 ishte shpallur konkursi për 157 pozita të togerëve. Megjithatë, procesi ishte kontestuar në gjykatë për shkak të dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026, që mundësonin aplikimin për avancim në dy grada njëherësh për disa zyrtarë me së paku dhjetë vjet përvojë në Polici.
Gjykata Supreme, me aktgjykimin P.A.nr.16/2026, e shfuqizoi në tërësi këtë udhëzim administrativ.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, gjatë atij viti ishin evidentuar 391 zyrtarë policorë që ushtronin funksione për të cilat kërkohej gradë më e lartë se ajo që posedonin. Në vitin 2024, ky numër ishte 341, pra 50 më pak.








