Barcelona mund t’i bëjë pothuajse të gjitha gjërat siç duhet kundër ekipeve që mbrohen thellë, por prapëseprapë mund të kalojë shumë kohë duke u përpjekur ta gjejë mënyrën për ta thyer mbrojtjen kundërshtare.
Shumica e ekipeve me të cilat përballet klubi katalunas në La Liga preferojnë të tërhiqen prapa dhe të mos i lënë Barcelonës hapësira për të qenë sa më e rrezikshme, shkruan “Barça Universal”.
Barça prapëseprapë mund ta qarkullojë topin. Mund të luajë futboll të jashtëzakonshëm në mesfushë. Mund t’ia pasojë topin Lamine Yamalit dhe t’i kërkojë atij ta zgjidhë problemin. Megjithatë, as atëherë nuk është aspak e lehtë.
Hansi Flick ka ndërtuar një skuadër që di t’i kontrollojë ndeshjet dhe të shënojë gola me lehtësi ndaj kundërshtarëve. Megjithatë, Barcelona vazhdimisht kërkon strukturën e përsosur për ta çmontuar mbrojtjen e ulët të kundërshtarit.
Një zgjidhje mund të fshihet në një pozitë që Frenkie de Jong nuk e ka konsideruar kurrë plotësisht të veten: atë të mbrojtësit të djathtë.
Jo në mënyrën tradicionale. Askush nuk ka nevojë ta shohë holandezin duke vrapuar drejt vijës fundore apo duke u përpjekur të bëhet Dani Alvesi i ri.
Ideja është që ai ta nisë ndeshjen nga ajo pozitë, por më pas të lejohet të kalojë pjesën më të madhe të kohës me topin aty ku i takon: në mesfushë.
Struktura aktuale e Barcelonës nën drejtimin e Flickut sugjeron se ky eksperiment mund të mos jetë aq larg realitetit sa duket në shikim të parë.
Eric Garcia tashmë e ka dëshmuar vlerën e një lojtari me instinkte mesfushori që luan në vijën e mbrojtjes.
Ai vazhdimisht futet në qendër për të formuar një treshe në mbrojtje kur Barcelona e ka topin. Gjithashtu, shfrytëzon aftësitë me topin për ta mbajtur lojën në lëvizje dhe për të gjetur mundësi për t’i thyer linjat kundërshtare me pasime drejt pjesës së avancuar të fushës.
Në anën tjetër, Xavi Espart, duke qenë mesfushor i natyrshëm, shpesh përfundon duke bërë vrapime drejt qendrës dhe përmes mesfushës kundërshtare, duke krijuar një bosht lidhës mes anësorit të majtë dhe pjesës tjetër të mesfushorëve.
Flick ka gjetur gjithashtu mënyra për ta tërhequr Raphinhan më thellë në fushë, edhe kur braziliani e nis ndeshjen si sulmues në këtë sistem.
Nëse kësaj i shtojmë praninë e Rodrit në bazën e mesfushës dhe aftësinë e Pedrit për të gjetur hapësira mes linjave, Barcelona shpesh krijon epërsi numerike 5 kundër 3 në mesfushë ndaj ekipeve të La Ligës.
Kundërshtarët janë në disavantazh numerik edhe para se topi të arrijë në zonën e fundit të fushës. Megjithatë, epërsia numerike nuk do të thotë domosdoshmërisht se mund ta depërtosh mbrojtjen.
Shumica e mesfushorëve të Barcelonës aktualisht përpiqen ta avancojnë lojën përmes pasimeve dhe kombinimeve.
De Jong, megjithatë, ofron një mënyrë krejtësisht tjetër për ta çuar topin përpara.
Shumë mesfushorë mund ta pranojnë topin, të kthehen dhe ta gjejnë pasimin e radhës. Cilësia e veçantë e De Jongut qëndron te ajo që ndodh para atij pasimi.
Në skuadrën aktuale të Barcelonës nuk ka mesfushor më të rehatshëm se mjeshtri holandez kur bëhet fjalë për ta avancuar topin duke e dribluar.
Statistikat e tij për sezonin 2025/26 e vendosin në përqindëshin e 96-të për bartjen progresive të topit. Frenkie mund ta marrë topin në një pozitë të thellë, t’i kalojë dy kundërshtarë sikur të mos ekzistonin dhe papritmas ta gjejë veten me gjithë hapësirën e botës përpara.
Imagjinoni reprezentuesin e Holandës duke e marrë kontrollin e topit pranë zonës së tij të penalltisë. Nëse e ngrit kokën, mund ta shohë Rodrin në pozitën e tij të zakonshme për organizimin e lojës, Pedrin në hapësirat mes linjave përpara tij dhe Lamine Yamalin të pozicionuar në krah.
Nëse lojtari kundërshtar në anën e majtë i afrohet De Jongut, Pedri papritmas fiton hapësirë për ta pranuar topin. Nëse anësori e ndjek De Jongun drejt qendrës, Lamine mund të gjendet në një pozitë shumë të favorshme përmes një pasimi të shkurtër.
Nëse askush nuk del përpara, siç ndodh shpesh kur ekipet mbrohen thellë, holandezi mund ta avancojë topin deri në momentin kur një lojtar kundërshtar detyrohet të ndërhyjë.
Pikërisht kjo është ideja. Barça nuk do të shtonte një tjetër pasues vetëm sa për ta shtuar. Ajo do të fitonte një lojtar që mund ta avancojë topin dhe t’i bëjë pasuesit edhe më efektivë.
Një lëvizje e shkurtër mashtruese me trup dhe një depërtim i Frenkiet mund ta arrijnë atë që dhjetë pasime nuk arritën ta bënin.
Në letër, Frenkie e nis ndeshjen si mbrojtës i djathtë. Kur Barcelona e ka topin, ai lëviz drejt qendrës për t’u pozicionuar pranë Pedrit.
Rodri mund të qëndrojë më prapa, së bashku me Pau Cubarsin dhe Gerard Martinin. Në këtë mënyrë, Barcelona do të kishte një strukturë mbrojtëse 3-2: tre lojtarë që mbrojnë hapësirën prapa sulmit dhe dy mesfushorë që e mbulojnë zonën përpara tyre.
Kjo do t’i jepte De Jongut lirinë për të avancuar, por jo edhe lirinë për ta harruar atë që ndodh pas shpinës së tij.
Ekziston edhe versioni më agresiv, sepse, le ta pranojmë, Barcelona e Flickut i pëlqen të marrë rreziqe.
Rodri qëndron në mesfushë së bashku me Pedrin dhe De Jongun, duke u mundësuar Espartit dhe Dani Olmos të pozicionohen në gjysmëhapësirat e majta dhe të djathta, për të formuar një pesëshe sulmuese së bashku me Gordonin, Raphinhan dhe Laminën.
Në këtë rast, struktura mbrojtëse e Barcelonës ngjan me një skemë 2-3. Ndryshimi nuk qëndron vetëm te prania e një lojtari më shumë në mesfushë, por te ajo që ky lojtar u mundëson të tjerëve përpara tij.
Pedri mund të vazhdojë të luajë si zakonisht, duke pasur sigurinë se Rodri ndodhet pranë tij për ta neutralizuar çdo rrezik që mund të shfaqet.
Raphinha mund t’i tërheqë mbrojtësit kundërshtarë nga pozitat e tyre, ndërsa Lamine ruan gjerësinë në krah, e cila e bën aq të rrezikshëm në duelet një kundër një.
Meqë De Jong mund ta ndërrojë krahun e lojës po aq mirë sa mund ta avancojë topin, Barcelona mund t’i tërheqë kundërshtarët në njërën anë dhe më pas ta dërgojë topin me një pasim diagonal te Gordon në krahun e majtë.
Natyrisht, këto lëvizje duhet të bëhen në kohën e duhur. Nëse Espart dhe De Jong avancojnë njëkohësisht pa mbulim prapa, kjo skemë pushon së qeni e zgjuar dhe fillon të bëhet e rrezikshme.
E vetmja arsye pse kjo ide mund të merret sadopak seriozisht është prania e Rodrit. Ai i jep Barcelonës një mesfushor defensiv që e lexon rrezikun herët dhe e di kur duhet ta mbajë pozitën e tij dhe kur duhet të tërhiqet prapa topit.
Kur De Jong e kalon vijën e parë të presionit me topin në këmbë, Rodri mund ta mbajë qendrën dhe të mbrojë skuadrën nga kundërsulmi i parë.
Megjithatë, duhet theksuar se ish-ylli i Manchester Cityt nuk është Superman dhe nuk mund ta mbulojë i vetëm të gjithë fushën.
Në momentin që Barcelona e humb topin, De Jong vazhdon të jetë mbrojtësi i djathtë. Një pasim i shpejtë diagonal në hapësirën prapa tij mund ta lërë Cubarsin të pambuluar ose ta detyrojë Rodrin të bëjë diçka me të cilën nuk ndihet rehat.
Ekziston edhe çështja e mbrojtjes si një mbrojtës i krahut. Ndjekja e lojtarëve kundërshtarë në shtyllën e largët, vendimi se kur duhet të dalësh përballë një kundërshtari në krah dhe kthimi në vijën e mbrojtjes nuk janë e njëjta gjë sikurse mbrojtja në rolin e mesfushorit.
Edhe pse inteligjenca e natyrshme e De Jongut duhet ta ndihmojë t’i tejkalojë disa prej këtyre mangësive, kjo nuk do të jetë aspak detyrë e lehtë.
Më e rëndësishmja, duke qenë se holandezi u kthye në skuadër në tetor pas një lëndimi në gju, kjo nuk është ide që duhet t’i imponohet para se ai ta rikthejë ritmin e tij. Mund të jetë një opsion, por ndoshta duhet të presë.
Askush nuk po sugjeron që Barcelona ta përdorë De Jongun si mbrojtës të djathtë kundër çdo kundërshtari. Ky do të ishte një argument tepër i thjeshtë për t’u bërë.
Ka ndeshje kur fiziku i Jules Koundes apo disiplina pozicionale e Eric Garcias janë pikërisht ato që i duhen Flickut.
Megjithatë, imagjinoni një ndeshje të kampionatit ku Barcelona e mban kundërshtarin të ngujuar në gjysmën e tij të fushës. Ekipi mysafir lë një sulmues lart, mbrohet pranë zonës së vet dhe ua lë topin lojtarëve të Flickut.
A duhet të sillet mbrojtësi i djathtë si një mbrojtës tradicional për të gjitha 90 minutat? Absolutisht jo!
De Jong mund ta marrë pozitën fillestare të Eric Garcias, por të ofrojë diçka ndryshe sapo Barcelona ta sigurojë posedimin e topit.
Ai mund ta ndihmojë Rodrin ta kontrollojë lojën, ta lirojë Pedrin për të luajtur më përpara dhe t’i detyrojë mbrojtësit kundërshtarë të zgjedhin mes mbulimit të hapësirave dhe ndjekjes së lojtarëve.
Kjo nuk do të thotë se Barcelona e Flickut do të bëhet e pathyeshme, por do t’i jepte trajnerit edhe një mënyrë tjetër për ta zgjidhur një problem të vazhdueshëm.
Barça tashmë e di si ta krijojë epërsinë numerike duke e liruar një lojtar nga mbulimi kundërshtar. Por Frenkie mund t’i ndihmojë ta gjejë atë lojtar të lirë më shpesh, dhe kjo mund të jetë faza e radhës e zhvillimit të Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flickut./





