Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut.
Xhaferi u votua me 65 vota pro, 3 kundër. Të pranishëm ishin 111 deputetë nga 120 që ka në total Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë deputetët e partisë VMRO-DPMNE-së nuk votuan.
Pas votimit, qeveria teknike bëri betimin, teksa Xhaferi u shpreh se do të zbatojë kushtetutën dhe ligjet e vendit. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
“Sot përmbushet ëndrra për Kryeministër të parë shqiptar! Sot premtoj se do e përmbushim ëndrrën edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut të përparuar, të zhvilluar, demokratike dhe evropiane! Shtet ku të rinjtë do të duan të kthehen, ku gjenerata ime do i shohë nipërit si rriten, ndërsa më të moshuarit do të krenohen që investimi në shtetësinë ka dhënë rezultat! Urime Qeveria!”, ka shkruar Xhaferi, më një postim në Facebook.