Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), ka folur për konsumin e lartë të energjisë elektrike në Kosovë, duke theksuar se ngrohja e shtëpive gjatë dimrit është një nga arsyet kryesore të këtij konsumimi.
Sipas Ejupit, qytetarët e Kosovës në masë të madhe janë të detyruar të përdorin energjinë elektrike për ngrohje, pasi në shumicën e qyteteve mungojnë alternativat e tjera për furnizim me ngrohje qendrore.
Ai ka theksuar në emisionin “Forum” në DTV Media se çdo vit në Kosovë ndërtohen dhe lëshohen në shfrytëzim së paku 2 mijë njësi të reja banimi, të cilat, në mungesë të alternativave të tjera, mbështeten kryesisht te energjia elektrike për ngrohje.
Ejupi ka përmendur se përveç Termokosit në Prishtinë dhe sistemit të ngrohjes në Gjakovë, qytetet e tjera të Kosovës nuk kanë ngrohtore qendrore. Për këtë arsye, sipas tij, qytetarët duhet të gjejnë mënyra të tjera për t’u ngrohur, ku energjia elektrike mbetet një nga burimet kryesore.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e rritjes së konsumit gjatë festave të fundvitit, kur në Kosovë kthehen shumë bashkatdhetarë nga diaspora. Sipas Ejupit, ardhja e mërgimtarëve dhe shtimi i numrit të banorëve nëpër shtëpi gjatë kësaj periudhe ndikojnë në rritjen e kërkesës për energji elektrike.






