28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

“Eh po t’i prijke Banjskës ky”, “Hetemi është k**”: Audio-incizimet zbulojnë ofendimet e zv/ministrit serb ndaj Lulzim Hetemit e Lajçakut, dëshmohen talljet me Banjskën

- Advertisement -

Në disa audio-incizime që Nacionale i ka siguruar nga burimet e veta, disa edhe brenda institucioneve, Radomiroviqi – ish-ushtari i regjimit të Kasapit të Ballkanit – e ofendon vëllain e një dëshmoreje, kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

E ofendon me fjalën k** të thënë në gjuhën serbe. Kjo gjatë një diskutimi me drejtorin e Urbanizmit, Marko Jabllanoviq.

“Po de, por ne duhet t’i mbahemi rrëfimit tonë: Se ne jemi këtu për popullin tonë. Ne jemi për tanët. Dhe, se ata janë për të vetët”, thotë në fillim të bisedës zv/ministri.

“Njëherë po bisedoja me Hetemin, në jug, dhe Hetemi më tha: Në Leposaviq…”, thotë drejtori Jabllanoviq.

“Hetemi është k**”, ndërhyn sërish zv/ministri për Komunitete dhe Kthim.

Sikur të mos mjaftonte, Radomiroviq në një tjetër audio-incizim, e akuzon Hetemin se është edhe i korruptuar. Kjo gjatë një diskutimi me disa punëtorë.

“Njëfar prifti aty poshtë… S’dihej çka po ndodhte… Stefan, dëgjoje këtë! Ai ishte një nejri që i kishte kaluar rreth katër muaj në njëfar paraburgimi”, thotë zv/ministri.

“Dhe atij përnjëherë krejt kjo i dukej shkëlqyeshëm. Fliste herë me njërin herë me tjetrin… E, unë nuk doja të tregoja se cili ishte i korruptuar. Por, për te mund të them se ishte i korruptuar…”, shprehet Radomiroviq.

Por, Hetemi nuk është i vetmi që ofendohet nga Radomiroviqit. Ky i fundit në një bisedë që Nacionale e ka siguruar gjatë një takimi që zv/ministri pati me përfaqësues të KFOR-it austriak, ai e shan me nënë emisarin Miroslav Lajçak. Aty flitet edhe për rezultatet e Vuçiqit në Serbi.

“Megjithëse, më besoni se hulumtimet e opinionit publik deri më tani tregojnë se Vuçiqi nuk fiton. Por, kur i publikojnë rezultatet për BKS rejtingu i tij ngritet lart. Dhe këtu atij i ka ndihmuar Lajçaku”, shprehet zv/ministri për Komunitete dhe Kthim.

“Vetëm pak, BKS është Bashkësia e Komunave Serbe”, e pyet njëri nga pjesëmarrësit në takim.

“Po, po e di, por këtu ka rol ndihma e Lajçakut. Ai është një kriminel i egër, he nënën atij …”, thotë zv/ministri.

Radomiroviq në një bisedë me drejtorin e Urbaninizmit, Marko Jabllanoviq, i tregon atij rrëfime lufte, por të cilat nuk dihet se në cilin vend ka ndodhur, Kosovë apo diku tjetër. Aty, Jabllanoviqi tallet pak me ngjarjen tragjike e sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë nën shoqërimin e zv. ministrit që paguhet nga taksat tona.

“Kur paprimtas po e shoh që atje lart, mbi rrugë, po qëndronte i shtrirë një njeri. Shkoj dhe e marrë atë… Unë i kisha 19 vjet, e ai sigurisht ishte diku 1.90 metra i gjatë. I kishte 27 vjet. Jo, 29.”, thotë zv/ministri duke bërë rrëfime lufte. Se për në cilin vend e ka fjalën, nuk specifikohet.

“Po, kishte më shumë se 100 kilogramë. Unë e kapi atë dhe e tërheqi për epoleta, sepse dukej si me qenë i vdekur. I palëvizshëm… Dhe, unë e kapi për epoleta dhe e tërheqi, megjithëse fillimisht u ktheva ta merrja edhe pushkën e tij automatike, të cilën e qita në krah, bashkë me armën time. Unë e kisha një mitraloz”, thotë Radomiroviq.

“Eh, po t’i printe ky Banjskës asnjë armë s’do të kishte mbetur atje”, tallet pak drejtori Marko Jabllanoviq gjatë takimit.

Nacionale ka kontaktuar me z. Radojica Radomiroviq dhe i cili ka deklaruar se është në dijeni “kush i ka bërë incizimet” dhe se videot janë të “edituara” e të “montuara”. Megjithatë, ai s’ka dhënë kurrfarë përgjigje në lidhje me pyetjet direkte të Nacionales.

“(Ato përgjime) janë punuar nga një punëtore grua, materiali është i redaktuar dhe i prerë, fjalët janë të nxjerra prej konteksti. Institucionet kompetente po kryejnë hetime rreth përgjimeve të paligjshme dhe shpërndarjes qëllimkeqe (dashakeqe) të përgjimeve të redaktuara. Kjo është krejt çka mund të them. Po pres hetimin zyrtar nga institucionet kompetente. Ju faleminderit për mirëkuptim”, tha në fillim zv/ministri për Nacionalen.

“Unë i kam dëgjuar regjistrimet. Me përgjegjësi pohoj që fjalët janë nxjerrë prej konteksti, në mënyrë që t’u jepet karakter fyes. Terroristi (Millan) Radojiçiq dhe fëmijët e policisë fashiste serbe nuk do t’ia dalim mbanë të mashtrojnë policinë e Kosovës me video të këtilla të redaktuara”, deklaroi ai më tutje.

Pas publikimit të videos së djeshme ku nënkryetarja e Leposaviqit konsumonte drogë, hetuesit kanë ardhur edhe në zyret e Nacionales. Atyre u janë dorëzuar disa materiale të cilat Nacionale vendosi të mos i publikonte pasi ishin me interes shtetëror.

Gjatë krejt javës Nacionale do të publikojë materiale të ngjashme. Nesër do të tregohet se si punëtor të tjerë të komunës, përfshirë edhe dyshimet për një polic, konsumonin drogë gjatë orarit të punës.

Publikimet do të vazhdojnë me biseda të tjera ku është i pëfshirë zv/ministri Radomiroviq, i cili duket se ka ndërmarrë veprime të paligjshme tinëz Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit