“Edhe në sofër kanë vjedhur”, Çitaku: Byrosë duhet t’i frikësohen eksponentët e VV-së

- Advertisement -

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një instrument propagandistik dhe jo mekanizëm të drejtësisë.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se konfiskimi i pasurisë nuk mund të bëhet me vendime politike, por vetëm përmes institucioneve të drejtësisë.

“Nuk është byro për konfiskimin e pasurisë. VV nuk po e thotë të vërtetën. Pasuria konfiskohet vetëm nga gjykata. Për më shumë se dy dekada, secilit në këtë vend që ka guxuar të merret me jetë politike, Vetëvendosje nuk i ka lënë gjë pa i thënë, hajn, kriminel e tradhtar pa pasur asnjë fakt. Ata janë kampionë vetëm në propagandë. Kjo byro është një instrument propagandistik”, deklaroi Çitaku në RTV21.

Ajo akuzoi  Albin Kurti se ka mbrojtur persona që, sipas saj, janë përfshirë në afera korruptive dhe po përballen me drejtësinë.

“Ua kujtoj se kryeministri i Kosovës, duke qenë në detyrë dhe me pushtet të plotë, u ka dalë publikisht në mbrojtje Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt, emra që janë përfshirë në afera dhe procese që po trajtohen nga organet e drejtësisë. Po ashtu, kemi mbi 2 mijë e 500 kontrata njëburimore. Kosova nuk ka pasur ndonjëherë një qeveri më të korruptuar dhe këtë e them me kompetencë dhe keqardhje”, tha ajo.

Çitaku përmendi edhe raportimet publike për komunikime të brendshme që, sipas saj, tregojnë ndërhyrje politike në vendimmarrje.

“Po dalin komunikime në WhatsApp që tregojnë se si merren vendime për çështje të rëndësishme shtetërore. Kjo është e paprecedentë. Nëse dikush duhet t’i frikësohet hetimeve për pasurinë, janë eksponentët e Vetëvendosjes. E refuzoj këtë përpjekje të VV-së për të imponuar perceptime politike mbi qytetarët”, deklaroi Çitaku.

Në fund, ajo tha se askush nuk mund të marrë rolin e gjykatësit në një shtet demokratik.

“Nuk vendos Albin Kurti se kush është hajn, kush është tradhtar dhe kush është i ndershëm. Kjo është detyrë e institucioneve të drejtësisë. Ai është një propagandues politik dhe asgjë më shumë”, përfundoi Çitaku.

Të ngjashme

Të fundit