Mesfushori Blendi Baftiu ka arritur marrëveshje me skuadrën e Llapit dhe do t’iu bashkohet qysh në kualifikueset për garat evropiane, këtë e ka konfirmuar drejtori sportiv Mentor Zhdrella.
Baftiu njoftoi largimin nga Drita me përfundimin e sezonit, ndërsa u raportua vazhdimisht se kërkohet nga skuadrat si Suhareka dhe Prishtina.
Megjithatë, është skuadra e Llapit që ka fituar garën për shërbimet e 26-vjeçarit.
“Po, mund t’iu konfirmoj se kemi arritur akordin me futbollistin Blendi Baftiu”.
“Baftiu qysh nga garat evropiane do të jetë nën urdhrat e trajnerit Tahir Batatina”, tha shkurtimisht ai për Nacionale.
Baftiu ishte ndër më të mirët në këto vitet e fundit në Superligën e Kosovës dhe mbahet mend sidomos për kohën e kaluar te Ballkani, skuadër me të cilën e fitoi titullin kampion.
Ai ishte pranë kalimit në Turqi para disa viteve, mirëpo marrëveshja dështoi në fund, kësisoj u largua nga Ballkani për t’iu bashkuar rivalit direkt Drita.
Tani, lojtari do të tentojë ta tregojë kualitetin nën urdhrat e Batatinës me shpresën për të luajtur diku në Evropë në vitet në vijim.
Kujtojmë, Llapi do të garojë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, ndërsa së shpejti do ta mësojë edhe kundërshtarin.