Kryetari i Degës së Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Florian Dushi, ka deklaruar se partia ka figura të mjaftueshme që mund të marrin përgjegjësinë për drejtimin e saj, por ka theksuar se prioritet duhet të jetë organizimi i një procesi të rregullt dhe demokratik zgjedhor brenda partisë.
Në Debat Plus, Dushi tha se qëllimi i kritikëve brenda LDK-së nuk është promovimi i një kandidati të caktuar për kryetar, por krijimi i kushteve që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe demokratike.
Dushi përmendi disa nga emrat që, sipas tij, janë diskutuar si kandidatë potencialë për udhëheqjen e LDK-së, duke përfshirë Përparim Ramën, Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin.
Megjithatë, ai theksoi se procesi nuk duhet të fokusohet fillimisht te emrat, por te garantimi i një gare demokratike.
“Mendoj që LDK-ja ka mjaftueshëm njerëz që mund të marrin këtë përgjegjësi. Kjo nuk është betejë e jona për të sjellë dikë në krye… deri më tani janë mjaftueshëm emra që janë përmend. Natyrisht në mesin e tyre është Përparim Rama, edhe Avdullah Hoti është edhe zonja Hykmete Bajrami. Por, megjithëse, procesi është i ndërlidhur. Por në këtë fazë ky proces duhet të ndahet. Njëherë duhet të krijojmë kushte demokratike, për të zhvilluar një proces zgjedhor të mirëfilltë brenda LDK-së”, ka thënë Dushi.






