Dushi: Është shpikje e Abdixhikut, kurrë një ide të PDK-së për koalicion të opozitës nuk ka pasur

- Advertisement -

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka deklaruar se ideja për një koalicion të përbashkët të partive opozitare me PDK-në nuk është diskutuar në organet e LDK-së dhe e ka cilësuar atë si një “shpikje” të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

“Është shpikje e Abdixhikut, kurrë një ide të PDK-së për koalicion të opozitës nuk ka pasur”, ka deklaruar Dushi.

Ai ka thënë se një ide e tillë nuk ka qenë pjesë e diskutimeve brenda strukturave të LDK-së dhe se nuk i kujtohet ndonjë mbështetje për një propozim të tillë nga anëtarët e partisë.

“Kur një ide e tillë s’ka pasur, nuk është diskutuar në organet e LDK-së. Kurrë nuk më kujtohet që ka pasur ndonjë mbështetës brenda LDK-së për një ide të tillë”, ka thënë Dushi.

Sipas tij, LDK-ja ka diskutuar tema të tjera politike, përfshirë mundësinë e garimit në zgjedhjet e dhjetorit me një listë të përbashkët me Nismën Socialdemokrate, por jo një listë të përbashkët opozitare me PDK-në.

“Kemi diskutuar për tema të ndryshme, kemi diskutuar për garimin në zgjedhjet e dhjetorit në një listë të përbashkët me Nismën, e cila është refuzuar nga shumica e anëtarëve të kryesisë. Mirëpo, jo, nuk është diskutuar për një listë të përbashkët të opozitës me PDK-në dhe një lider”, ka deklaruar ai.

Dushi ka shtuar se nuk e di nëse një ide e tillë është diskutuar në ndonjë nivel tjetër, por ka theksuar se ajo nuk është trajtuar në organet zyrtare të LDK-së.

Të ngjashme

Të fundit