Muaji Maj, veç ditëve me diell ka shtuar edhe numrin e vizitorëve të huaj që vijnë të shijojnë detin, rërën dhe mikpritjen në Durrës, duke e kthyer qytetin në një prej destinacioneve më të kërkuara në bregdetin shqiptar.
Operatorët turistikë dhe bizneset lokale tashmë janë gati për të nisur sezonin.
“Këtë vit sezoni turistik ka filluar më herët, domethënë në muajin Prill themi që kemi prenotime, kemi lëvizje të turistëve nga e gjithë bota dhe turizmi po shkon drejt asaj që ka qenë dhe kërkesë e jona dhe dëshirë e gjithë industrisë së turizmit që të zgjatet sezoni turistik”, tha Eduart Xhepa, operator turistik.
“Grupet e para janë nga Austria, të cilët kanë pranuar që të kalojnë pushimet e tyre të para në pranverë. Pra pranvera në Shqipëri atyre u duket diçka interesante, pasi koha është shumë e mirë, është ngrohtë, pra është shumë e përshtatshme. Nuk është as piku i sezonit, ofertat janë shumë të mira dhe kjo është diçka interesante që i bënë ata të vijnë në Shqipëri”, tha Blerim Norja, operator turistik.
Turistët që kanë nisur të mbërrijnë nga vende të ndryshme të Europës, tregojnë se Durrësin e zgjedhin jo vetëm për pushimet buzë detit, por edhe për pasuritë e tij historike dhe trashëgiminë kulturore që ofron.
“Kemi ardhur për pushime në Durrës. Mendojmë se është çdo gjë mirë, prisnim më shumë diell dhe mot më të ngrohtë, por për fat të mirë sot kemi diell.”
“Ne jemi nga Islanda dhe vijmë për herë të parë. Ne sapo kemi ardhur dhe do të shkojmë për të parë amfiteatrin, xhaminë Fatih dhe plazhin. Kemi ardhur të kalojmë vetëm ca ditë pushime.”
“Jam nga Finlanda dhe vij për herë të parë në vendin tuaj. Unë gjithashtu jap mësim në universitet në Finlandë për zhvillimin e turizmit dhe është mbresëlënëse të shoh se si po zhvillohet turizmi këtu. Mendoj se njerëzit janë mjaft miqësorë dhe shumica flasin anglisht, por edhe ata që nuk dinë, mundohen të gjejnë mënyra të tjera komunikimi.”