Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në Gjykatën Speciale po kërkon që viktimat e pretenduara në rastin kundër krerëve të UÇK-së, të kompensohen nga Dhomat e Specializuara e jo nga sistemi gjyqësor në Kosovë. Simon Laws, avokati kryesor për mbrojtjen e viktimave, në një parashtresë dërguar Trupit Gjykues, ka kërkuar që çështja e dëmshpërblimit të mos i lihet në dorë sistemit të Departamenteve Civile në Gjykatat e Kosovës, nën arsyetimin nënçmues, se ka “korrupsion brenda tyre”.
“…ekzistenca e mundshme e një niveli të caktuar të korrupsionit dhe ndërhyrjeve brenda sistemit juridik të Kosovës, si dhe mungesa e strukturave efikase të llogaridhënies për gjyqësorin; kohëzgjatja e procedurave civile; problemet e mundshme lidhur me ekzekutimin e vendimeve për kompensim të nxjerra nga gjykatat e Kosovës ndaj pasurive që ndodhen në territorin e një shteti i cili nuk ka marrëveshje për bashkëpunim gjyqësor ose marrëdhënie diplomatike me Kosovën; fakti se fondet ekzistuese për ofrimin e ndihmës juridike mund të mos kenë burime të mjaftueshme për të garantuar ofrimin e vazhdueshëm të ndihmës juridike; dhe pasiguria lidhur me zbatimin e afateve ligjore të parashkrimit…”, citon Laws konstatime, që sipas tij kanë dhënë ekspertë juridikë.
DOKUMENTE:


Shkresa e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave është bërë publike një javë pasi që Trupi Gjykues dënoi me 81 vjet burg në total Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Urdhra dëmshpërblimi nga Dhomat e Specializuara ishin nxjerrur më herët në rastin e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Për “Calin” urdhri fillestar ishte 207 mijë euro dëmshpërblim ndaj viktimave, gjersa 208 mijë euro, sipas gjykatësve, Pjetër Shala i detyrohej viktimave të tij.
Në rastin e Pjetër Shalës, çështja e zhdëmtimit të viktimave ka përfunduar në dhomat e Kushtetueses në Speciale.






