Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se drafti për Asociacionin nuk ofron asnjë lloj autonome për komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Kështu ka thënë ajo në një konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
“Përgjigjen rreth asaj se çka përmban drafti, e thash. Mendoj që ajo i përmbledh të gjitha. Kurti ka qenë për aq sa ka qenë e mundur, transparent edhe në Kuvendin e Kosovës sepse ju e dini që ka kërkesë që drafti të mos bëhet publik. Duke qenë partner serioz, nuk është bërë publik. Nëse unë do të hyja në detaje, mendoj që nuk është përgjegjësi e imja sepse Kurti ka folur në raport me atë se çka lejohet dhe besoj se kur të bëhet publik, do ta shihni edhe ju”, ka thënë Haxhiu.
Më tutje, Haxhiu ka thënë se nuk do të lejohet që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit të Kosovës.
“Nuk ka asnjë autonomi. Nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, ka potencuar Haxhiu.