“Do të ketë kosto”, Zeneli për pasojat e përçarjeve në LDK

- Advertisement -

Profesori dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lulzim Zeneli, ka deklaruar në emisionin “Adresa” në Kanal 10 se, pavarësisht rezultatit të procesit të votimit brenda partisë, prioritet duhet të jetë ruajtja e dialogut të brendshëm dhe unifikimi i strukturave të LDK-së.

Sipas Zenelit, nëse pas procesit zgjedhor nuk arrihet një unitet veprues brenda partisë, pasojat për LDK-në do të jenë të mëdha në të ardhmen.

“Pavarësisht rezultatit që do ta prodhojë procesi i votimit, shumë e rëndësishme për LDK-në është që nesër ta ruajë dialogun e brendshëm mes palëve dhe t’i unifikojë strukturat e veta për ecje tutje. Nëse kjo nuk arrihet, pavarësisht se kush do të dalë fitues apo kush do të marrë më shumë vota, nëse nuk arrihet një unitet veprues brenda strukturave të LDK-së, kostoja do të jetë shumë e madhe për subjektin politik në të ardhmen”, tha Zeneli.

Ai theksoi se mesazhi kryesor që duhet të dalë nga ky proces është ai i unitetit dhe i pjekurisë politike.

“Prandaj është shumë me rëndësi që në këtë rast të përcillet porosia e unitetit dhe e pjekurisë politike, në mënyrë që LDK të ripozicionohet në subjektivitetin e saj politik, të marrë përgjegjësi për proceset që e presin Kosovën dhe të ecë përpara në mënyrë institucionale”, u shpreh Zeneli.

Të ngjashme

Të fundit