DnV: Dalja në votime arrin 12% deri në mesditë, komunat me shumicë serbe kryesojnë me 24%

- Advertisement -

Dalja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës deri në orën 12:00 ka arritur në 12 për qind në nivel vendi, ndërsa komunat me shumicë serbe kanë shënuar dalje deri në 24 për qind, tha Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim në një konferencë për media.

Cakolli tha se rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt janë ato që kanë regjistruar daljen më të madhe të votuesve deri në mesditë.

“Deri në orën 12:00 dalja në nivel vendi është 12 për qind e votuesve, vërehet që komunat me shumicë serbe kanë dalje në votim që kanë deri në 24%. Rajoni i Prishtinës dhe i Ferizajt janë rajonet që kanë regjistruar daljen më të madhe”, tha ai.

Ai deklaroi se krahasuar me zgjedhjet e kaluara, pjesëmarrja është më e ulët, por sipas tij deri tani nuk janë evidentuar parregullsi serioze që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Dalja e votuesve në periudhë të njëjtë kohore ishte 13.7 për qind. Është raportuar që nuk ka pasur parregullsi serioze që mund të kenë ndikim në mbarëvajtjen e procesit. Mangësitë kryesore përfshijnë problemin me praninë e votuesve në vendet e gabuara. KQZ ka njoftuar me kohë votuesit për vendvotimet”, tha ai.

Sipas Cakollit, është shënuar rënie e madhe e rasteve të votimit me asistencë, ndërsa janë evidentuar edhe raste të votimit me dokumente të skaduara dhe fotografim të votës.

“Kemi raportime vetëm 0.1 për qind e votuesve kanë votuar me asistencë. Kemi një rënie mbi 90% të votimeve të tilla. Në 3% të vendvotimeve ka pasur raste ku deri 10 raste të paevidentuara të votimit me asistencë. Votimi me dokumente të skaduara, në 14% të vendvotimeve ka pasur raste të tilla. Deri në ora 12:00 janë raportuar 12 raste të fotografimit të votës”, tha ai.

Ai tha se një nga fenomenet e raportuara gjatë procesit zgjedhor ka qenë fshirja e lehtë e ngjyrës identifikuese nga gishtat e votuesve.

“Fenomen janë raportimet e shpeshta që ngjyra që përdoret tek votuesit është fshirë lehtësisht nga gishtërinjtë e tyre”, tha ai. /EO/

Të ngjashme

Të fundit