1.4 C
New York
Friday, January 10, 2025

Buy now

DnV bën thirrje për një fushatë të rregullt zgjedhore dhe mosshfrytëzim të resurseve publike për qëllime elektorale

- Advertisement -

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka bërë thirrje për një fushatë të rregullt zgjedhore, garë të barabartë, liri të shprehjes, transparencë, dhe mosshfrytëzim të resurseve publike për qëllime elektorale, raporton Ekonomia Online.

Në emër të DnV-së kanë folur Ismet Kryeziu, Mexhide Demolli Nimani dhe Rezarta Delibashzade Krasniqi.

Gara e barabartë zgjedhore

Në konferencë është bërë thirrje që kandidatët dhe partitë duhet të kenë mundësi reale për të konkurruar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Po ashtu, është thënë se nuk duhet të ketë pengesa artificiale për regjistrimin e kandidatëve apo partive.

Specifikisht, DnV vlerësoi që ky standard u vu në pikëpyetje gjatë rastit të moscertifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja.

Ky vendim, i marrë në kundërshtim me rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, e cila kishte konstatuar se subjekti i përmbushte kriteret e nevojshme, nxiti kritika për ndërhyrje të mundshme politike në një proces që duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi dhe ligji. Vendimi i mëvonshëm i PZAP-së, por dhe ai i Gjykatës Supreme për certifikimin e këtij subjekti jo vetëm që korrigjoi një gabim procedural, por tregoi gjithashtu mungesën e profesionalizmit në vendimmarrjen e KQZ-së.

Shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime elektorale

Përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale u tha se mbetet një çështje kritike gjatë periudhave zgjedhore. Aktualisht, janë vërejtur disa raste që ngrejnë shqetësime mbi integritetin e garës zgjedhore dhe barazinë midis subjekteve politike.
Në këtë drejtim, vendimi i 22 dhjetorit i qeverisë për të shpërndarë nga 100 euro për rreth 700,000 qytetarë, përfshirë 400 mijë fëmijë dhe 300 mijë kategori tjera sociale (pensionistët, dhe skemat tjera sociale), si dhuratë për festat e fundvitit – që ka prekur pothuajse secilën familje – ka ngjallur diskutime nëse një masë e tillë mund të ketë ndikuar tek elektorati në prag të zgjedhjeve. Po ashtu, ceremonia e ndarjes së “kartelave” të punës për 220 të punësuar në KEK, ku kryeministri Albin Kurti mori pjesë personalisht për t’i dorëzuar, përbën një veprim që mund të interpretohet si përdorim i burimeve shtetërore për qëllime partiake.
Për më tepër, në nivelet komunale dhe qendrore, janë raportuar gjithashtu raste të prerjeve të shiritave dhe promovimeve të projekteve të përfunduara, si ajo e kandidatit të PDK në Mitrovicë, kandidatit të LDK në Lipjan, të cilat duket se janë planifikuar qëllimisht për t’u zhvilluar pranë periudhës së fushatës. Këto veprime krijojnë një perceptim të përpjekjeve për të ndikuar votuesit përmes burimeve publike dhe vendosin në pikëpyetje barazinë e garës elektorale.

Liria e fjalës dhe grumbullimit

Duke folur rreth fillimit të fushatës zgjedhore që do të fillojë të shtunën, është kërkuar po ashtu që kandidatët, partitë dhe qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre dhe të organizojnë takime politike pa pengesa. Gjithashtu, duhet të sigurohet që nuk ka kërcënime, dhunë apo frikësim ndaj kandidatëve, vullnetarëve apo votuesve.

„Një nga standardet kyçe për një proces zgjedhor demokratik është garantimi i lirisë së fjalës dhe të drejtës për mbledhje të lirë. Kjo përfshin lirinë e kandidatëve, partive dhe qytetarëve për të shprehur mendimet e tyre dhe për të organizuar takime politike pa pengesa apo ndërhyrje. Gjithashtu, është e rëndësishme që të mos ketë kërcënime, dhunë apo frikësim ndaj kandidatëve, vullnetarëve apo votuesve“. Për më tepër, u tha se shumica e partive politike kanë publikuar platformat e tyre politike në kohë dhe kanë bazuar aktivitetet e tyre kryesisht në aspekte programore. Megjithatë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është përjashtimi i vetëm në mesin e partive të mëdha parlamentare, pasi nuk e ka bërë ende publike platformën e saj politike, edhe sot, kur jemi një ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës.

Liria e shprehjes dhe informimit

Garantimi që media ka mundësi të barabarta për të mbuluar të gjitha partitë dhe kandidatët pa ndërhyrje apo censurë, si dhe vlerësimi i hapësirës që u jepet partive në media dhe shmangia e mbulimit të njëanshëm, ka qenë mesazhi i radhës që është përvcjellë nga DnV.

Sipas DnV-së, duhet po ashtu të sigurohet liria e qytetarëve për të marrë informacion të paanshëm dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre pa frikë nga represioni.

Sipas përfaqësuesve të DnV-së, liria e shprehjes dhe garantimi i qasjes së barabartë në informim janë thelbësore për një proces zgjedhor demokratik. Në këtë drejtim, mediat kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke i dhënë një dinamikë dhe gjallëri aktiviteteve politike gjatë fushatës zgjedhore.

„Mediat kryesore, veçanërisht televizionet dhe portalet online, kanë ofruar transmetime në prime time të debatesh analitike, përballjeve mes kandidatëve dhe intervistave me liderë politikë. Kjo ka krijuar një hapësirë të gjerë për informim dhe pjesëmarrje. Gjithashtu, disa media private kanë publikuar kalendarë për transmetimin falas të spoteve zgjedhore të partive, duke përmbushur detyrimet e tyre ligjore dhe duke kontribuar në një qasje të barabartë për të gjithë akterët politikë”, është potencuar në konferencë.

Një aspekt tjetër që u theksua gjatë konferencës ishte mungesa e deritanishme e debateve të drejtpërdrejta midis konkurrentëve politikë, veçanërisht mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Ky element mund të konsiderohet si një vakum në spektrin e përballjeve publike, që ndikon në pasqyrimin e plotë të pikëpamjeve politike për qytetarët.

Po ashtu, sa i përket financimit të fushatës, u tha se e njëjta po karakterizohet nga shpenzime të konsiderueshme në aktivitete vizuale dhe logjistike, duke përfshirë përgatitjen e sallave, skenave, banerëve, zërimit dhe ndriçimit për takime publike. Këto elemente kërkojnë një mbështetje të fortë financiare, duke reflektuar një angazhim të madh të partive në organizimin e aktiviteteve.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i shpenzimeve është angazhimi në marketingun digjital. Partitë po investojnë ndjeshëm në videografika, infografika dhe postime në rrjetet sociale për të rritur praninë e tyre online dhe për të arritur një audiencë më të gjerë. Sponsorizimet në Facebook dhe Instagram kanë shënuar një rritje të madhe dhe duket se janë një pjesë integrale e strategjisë së komunikimit të partive. Bazuar në sponsorizimet e dukshme deri tani, LDK kryeson në këtë drejtim, ndjekur nga PDK, AAK, dhe VV në vendin e katërt. Megjithatë, në javën e fundit, VV ka nisur një fushatë të fuqishme sponsorizimi, duke shënuar një ndryshim të dukshëm në angazhimin e saj financiar në rrjetet sociale.

Gjatë konferencës për media është folur edhe për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, ku është bërë thirrje për promovim të një fushate gjithpërfshirëse, me pjesëmarrjen e grave, të rinjve dhe grupeve të tjera të margjinalizuara si kandidatë dhe votues.

Po ashtu, në konferencë është përmendur edhe nevoja për një financim transparent të fushatës dhe i bazuar në rregullat e sanksionuara me ligj, si dhe është këruar që raportimi financiar duhet të bëhet publik dhe të jetë i çasshëm për publikun. Në këtë kontekst, DnV ka paraqitur edhe disa të dhëna të partive politike në lidhje me shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Përdorimi i gjihës së drejtë dhe jo diskriminuese, neutraliteti institucional, qartësia dhe informimi i vyuesve, si dhe përdorimi dhe keqpërdorimi i burimeve publike, kanë qenë temat tjera të diskutuara në konferencë.

Ndërkohë, gjatë konferencës është folur edhe për një platformë të re të KDI-së për promovimin dhe kultivimin e një diskursi të shëndoshë shoqëror.

“KDI në bashkëpunim me institutin Politools nga Zvicra ka dizajnuar një mjet të ri digjital, të quajtur SmartVote Kosova i cili në fakt është një pyetësor online, që përmban rreth 25 pyetje që janë me shumë interes për qytetarët e vendit. Qëllimi kryesor i platformës SmartVote është që në prag të zgjedhjeve të promovohet dhe kultivohet një diskurs i shëndoshë shoqëror, që bazohet në ofertat programore të subjekteve politike në garë dhe në prioritetet e qytetarëve”, është njoftuar në konferencë.
Sipas tyre, përmes SmartVote Kosova, qytetarët e Kosovës, për herë të parë do të kenë mundësi që para ditës së zgjedhjeve të kuptojnë se me cilat parti politike i kanë qëndrimet më të përafërta.

Në përfundim, DnV prezantoi një varg rekomandimesh për një fushatë të lirë, transparente që mundëson garë të barabartë zgjedhore, duke i bërë thirrje institucioneve, partive dhe qytetarëve të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë dhe gjithëpërfshirës

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit