Dita e Evropës, BE organizon sot aktivitete kulturore dhe koncerte në Kosovë

- Advertisement -

Bashkimi Evropian (BE) në Kosovë do të shënojë sot (e shtunë) Ditën e Evropës përmes një programi të gjerë aktivitetesh që do të zhvillohen në disa qytete të vendit, me fokus në kulturë, informim dhe aktivitete argëtuese.

Në Prishtinë, në kuadër të këtyre aktiviteteve, do të organizohet Panairi “Team Europe”, ku do të marrin pjesë mbi 25 ekspozues.

Në mesin e tyre janë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, biznese të mbështetura nga BE-ja, organizata joqeveritare, programe zhvillimore, si dhe Asociacioni Ukrainas në Kosovë “Bridges of Friendship”.

Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se panairi do të ofrojë një program të pasur me aktivitete kulturore dhe argëtuese për të gjitha grupmoshat, me qëllim promovimin e vlerave evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit me qytetarët në Kosovë.

Hapja e panairit është paraparë për sot më 9 maj, në orën 13:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në ceremoninë hapëse pritet të flasë ushtruesja e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Më pas, në mbrëmje nga ora 20:00 deri në 22:00, programi do të vazhdojë me një koncert në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Dita e Evropës do të shënohet edhe në Mitrovicën e Veriut, ku aktivitetet fillojnë në orën 12:00.

Edhe aty, në mbrëmje nga ora 20:00, do të mbahet një koncert në rrugën “Mbreti Pjetër I”, si pjesë e programit festiv të organizuar për këtë ditë.

Të ngjashme

Të fundit