Të dy kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç do të takohen nesër në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve mes dy palëve, por që tema kryesore do të jetë çështja e dinarit për serbët që jetojnë në Kosovë.
Përderisa takimi është konfirmuar zyrtarisht nga palët që ndihmojnë procesin e dialogut, zyrtarë të Bashkimit Evropian, ka qenë dilpomati i lartë i SHBA-së Gabriel Escobar që në një intervistë për REL tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk i është bindur propozimeve të Amerikës për dinarin.
Vetë Kurti, por edhe Bislimi disa herë kanë thënë se nuk do të negociojnë për çështjen e dinarit pasiqë sipas tyre “kjo është çështje e brendshme e Kosovës”.
Analisti politik Halil Matoshi në një deklaratë për Periskopi ka parashikuar se çka mund të ndodh nesër në takimin Bislimi – Petkoviç.
Sipas tij dialogu i Brukselit po u shërben palëve për shtyrje të zbatimit të Marrëveshjës së Brukselit për nevoja elektorale.
Albin Kurti është ekspert i prodhimit të krizave duke krijuar tema të reja “sovraniste” me të cilat po i kënaq turmat nacionaliste, por që në thelb nuk ka ende asnjë rezultat në veri të vendit. Bislimi do ta lë hapur çështjen e dinarit duke luajtur “tërhiq e mos e këput.””, ka thënë Matoshi për Periskopin.
Matoshi thotë se çështja e dinarit do të kryhet sikurse janë kryer edhe shumë tema të tjera e për të cilat Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të negociojë.
“Në fund do të zgjidhet kjo çështje por do të krijohet një problem i ri. Kështu deri në fund të mandatit…Problemet strukturore me serbët kosovarë i zgjidhë me Asociacionin të cilin, duke qenë obligim ndërkombëtar i Kosovës, do t’ua shesë turmave si “tradhti nga regjimi i kaluar”, njëjtë si pronat e Manastirit!?”, ka vlërësuar Matoshi.
Dinari u bo temë e që nxiti reagimi të shumta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, kur Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti, vendosi zbatimin e një rregulloreje të re të Bankës Qendrore të Kosovës e ku përmes saj thuhet se valuta kryesore dhe me të cilën mund të punohet është vetëm EURO.
Për zbatimin e rregullorës së re Kurti dhe të tjerët u thirrën edhe në një nen të Kushtetutës së Kosovës që thotë se valuta e vetme në vend është EURO.
SHBA dhe BE asnjëherë nuk kanë qenë kundër zbatimit të rregullores së re të BQK, por që kanë kërkuar nga Albin Kurti afate shtesë në mënyrë që komuniteti serbë që jeton në Kosovë të vetëdijësohet dhe të ketë një fushatë senzibiluese për vendimin e ri të BQK-së.
Në takimin e fundit që është mbajtur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti e Besnik Bsilimi vendosën që për dinarin ta dërgojnë guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, përderisa Serbia përfaqësohej nga disa zyrtar të ministrisë së Financave.
Partitë opozitare, shoqëria civile në Kosovë kishin qëndrime të ashpëra ndaj Qeverisë së Kosovës për zbatimin e rregullores së re të BQK-së, duke thënë se ai duhet të zbatohet, por që assesi kjo çëshjte nuk duhej të ishte temë për përplasje me aleatët e Kosovës, sikurse janë SHBA dhe BE.
Bërja temë e dinarit u vlerësu edhe si lënie nën hije e rastit të tentimit nga ana e Serbisë për aneksimin e një pjesë të Veriut, rasti Banjska, për të cilën BE ende nuk ka një qëndrim të prerë (raport) apo edhe ndonjë masë ndaj shtetit serb, për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po i kërkojnë Serbisë që terroristi Milan Radojçiq të dal para organeve të drejtësisë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar.
Kosova disa herë ka kërkuar që ai të ekstradohet në Kosovë dhe të gjykohet për sulmin e 24 shtatorit.
Ditë më parë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka njoftuar se në takimin e 19 marsit mes Kosovës dhe Serbisë do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet i pagesave.
Stano ka shtuar se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.