Dështimi i shtetit për trajtimin e pacientëve jashtë vendit, 38 kërkesa në pritje nga 2019-ta

- Advertisement -

Një numër i konsiderueshëm i kërkesave për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike të Kosovës, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, kanë mbetur për vite të tëra në pritje të shqyrtimit dhe vendimmarrjes nga Bordi për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, duke shkaktuar vonesa që ndikojnë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve.

Sipas gjetjeve të Auditorit, 38 aplikime, në vlerë të përbashkët prej 876.032 euro, kanë qenë subjekt i vonesave në trajtimin nga Bordi që nga viti 2021, po ashtu, lëndë me vendime të Bordit që nga viti 2019, të cilat nuk ishin ekzekutuar financiarisht.

Evidencat tregojnë për dy raste nga viti 2021, një nga viti 2023, nëntë nga viti 2024 dhe tre të tjera nga viti 2025, që nuk ishin shqyrtuar ende, me një vlerë të përgjithshme prej 392,381 euro.

Përveç vonesave në shqyrtimin e aplikimeve, janë evidentuar edhe probleme në ekzekutimin e vendimeve të Bordit, që sipas gjetjeve rezultojnë shtatë lëndë nga viti 2019, një në vitin 2022, tri në vitin 2023, pesë në vitin 2024 dhe tetë në vitin 2025.

Edhe pasi lëndët janë miratuar, një pjesë e madhe e tyre kanë mbetur për periudha të gjata në pritje të pagesave ose zbatimit të vendimeve.

Vlera e këtyre rasteve, sipas ZKA-së arrin në 483,651 euro.

“Kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së një mekanizmi efektiv për ndjekjen dhe monitorimin e ekzekutimit të vendimeve të Bordit, si dhe vonesave në procedurat e brendshme administrative dhe financiare pas miratimit të tyre”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Pos tjerash, në raport theksohet se institucionet përgjegjëse për trajtimin e kërkesave për trajtim mjekësor jashtë vendit kanë lëshuar fletëzotime në vlerë prej 738.786 euro, ndonëse, sipas raportit, aplikimet nuk i plotësonin kushtet e përcaktuara me udhëzimet administrative.

Gjetjet tregojnë se janë identifikuar 24 raste ku fletëzotimet janë lëshuar pa u përmbushur kriteret për numrin e pro-faturave të kërkuara ose pa dokumentacionin e plotë, në kundërshtim me procedurat në fuqi./klankosova.tv/

Të ngjashme

Të fundit