Në pothuajse secilin projekt kapital infrastrukturor të menaxhuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë evidentuar shkelje dhe mangësi në procedurat e prokurimit publik, shkruan Indeksonline.
Bëhet fjalë për tenderë që kapin vlera prej dhjetëra milionë eurosh, ku Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka konstatuar mosrespektim të procedurave ligjore, mangësi në vlerësimin e ofertave, dobësi në menaxhimin e kontratave dhe pagesa të realizuara pa dokumentacion të mjaftueshëm.
Auditori ka identifikuar mangësi konkrete edhe në procesin e vlerësimit të tenderëve për projekte milionëshe infrastrukturore.
Në një procedurë për “Mirëmbajtjen dimërore dhe verore të rrugëve nacionale”, me vlerë kontrate rreth 15.3 milionë euro, auditori ka gjetur se operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme për disa nga pajisjet e kërkuara në dosjen e tenderit. Edhe në këtë rast komisioni kishte vazhduar me vlerësimin pozitiv të ofertës.
Po ashtu, në projektin për rehabilitimin e rrugës rajonale R115, segmenti Shtime–Carralevë, me vlerë rreth 12 milionë euro, janë evidentuar mangësi në verifikimin e dokumentacionit dhe të kapaciteteve teknike të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tender.
Sipas auditorit, këto raste tregojnë dobësi në procesin e vlerësimit të ofertave dhe rrezikojnë që kontratat publike të mos u jepen operatorëve që plotësojnë plotësisht kriteret e kërkuara.”, thuhet në raport.
Raporti evidenton gjithashtu probleme serioze në menaxhimin e kontratave me çmime për njësi, ku janë identifikuar tejkalime të sasive në vlerë prej 1.28 milion euro dhe mosrealizim i punimeve në vlerë prej 688 mijë euro.
Dobësi janë konstatuar edhe gjatë verifikimeve në terren, ku gjendja faktike e projekteve nuk përputhej në disa raste me dokumentacionin e dorëzuar, duke ngritur shqetësime për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.
Përveç çështjeve të prokurimit, raporti trajton edhe probleme me pagesat e punonjësve dhe operatorëve ekonomikë, përfshirë 61 punonjës të angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, për të cilët janë realizuar pagesa pa dëshmi të mjaftueshme për vijueshmërinë në punë, si dhe vonesa në pagesa që kapin vlera mbi 2 milionë euro.
Gjatë auditimit janë identifikuar katër raste ku punimet nuk janë realizuar sipas planit dinamik të paraparë me kontratë.
Kontrata “Sanimi emergjent i rrëshqitjeve në rrugën Nacionale N9, segmenti Pejë–Kuqishtë”, në vlerë prej 1,577,994 euro, është nënshkruar më 12.02.2025.
Sipas kontratës, punimet duhej të fillonin pesë ditë pas nënshkrimit dhe të përfundonin brenda 145 ditëve pune. Megjithatë, deri në kohën e auditimit (mars 2026), punimet ende nuk kishin përfunduar.
Kontrata “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë–Besi–Podujevë, LOT 3”, në vlerë prej 9,254,811 euro, është nënshkruar më 19.06.2023. Afati për përfundimin e punimeve ishte 317 ditë nga data e nënshkrimit, përkatësisht deri në tetor 2024.
Për këtë projekt janë nënshkruar edhe dy aneks-kontrata në vlerë të përgjithshme prej 864,390 euro, të cilat kanë paraparë një afat shtesë prej 30 ditësh pune. Pavarësisht kësaj, deri në mars 2026 punimet ende nuk kishin përfunduar.
Kontrata “Ndërtimi i rrugës Prizren – Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), segmenti Struzhë – Kyçja në Autostradën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ në Prizren-Jug, LOT 1 (L=6+913.73 km)”, në vlerë prej 7,999,999 euro, është nënshkruar më 02.08.2024.
Sipas kontratës, afati për përfundimin e punimeve ishte 255 ditë pune nga data e fillimit të tyre, ndërsa punimet kanë nisur në të njëjtën datë.
Për këtë projekt është nënshkruar edhe një aneks-kontratë në vlerë prej 653,715 euro, me afat shtesë prej 140 ditësh pune, respektivisht deri në nëntor 2025. Megjithatë, deri në mars 2026 punimet nuk kishin përfunduar. Kontrata “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 – Kryqëzimi me disnivel A6/A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë, pjesa: Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) – Udhëkryqi ‘Bresalc’, LOT 8”, në vlerë prej 11,913,157 euro, është nënshkruar më 13.02.2018.
Punimet kanë filluar po në të njëjtën ditë, me afat përfundimi prej 30 muajsh nga data e fillimit. Megjithatë, deri në kohën e auditimit (mars 2026), punimet ende nuk kishin përfunduar.
Vonesat në realizimin e këtyre projekteve kanë ardhur si rezultat i një kombinimi faktorësh, përfshirë problemet në procesin e shpronësimit dhe çështjet pronësore, rrëshqitjet dhe shembjet e dheut, si dhe mangësitë në planifikimin fillestar të projekteve, të cilat kanë rezultuar me ndryshime në paramasa dhe parallogari gjatë zbatimit.
Gjithashtu, gjatë realizimit të projekteve janë paraqitur elemente dhe infrastrukturë e paplanifikuar në terren, duke kërkuar ndërhyrje shtesë dhe përshtatje teknike. Në vonesat e evidentuara kanë ndikuar edhe kushtet e pafavorshme atmosferike gjatë periudhës së realizimit të punimeve.






