Njëri prej shtatë dëshmitarëve dëshmitë e të cilëve trupi gjykues në Hagë i pranoi me shkrim, po del të jetë njëri prej dëshmitarëve më të rëndësishëm në krejt gjykimin. Kështu të paktën ka pretenduar mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një parashtresë të cilën e kanë dërguar në Apel, të gjithë avokatët kanë kërkuar që të rishqyrtohet vendimi fillestar. Kjo pasi ata kanë theksuar se nëse dëshmia e dëshmitarëve më të rëndësishëm merret me shkrim, atëherë kjo krijon probleme, raporton Nacionale.
“[REDAKTUAR] është një nga dëshmitarët më të rëndësishëm në këtë çështje nga çdo metrikë. [REDAKTUAR]. Si [REDAKTUAR] gjithashtu ka njohuri të konsiderueshme për vendndodhjet e aktakuzave, strukturat e UÇK-së dhe rregulloret e shkruara. Siç theksoi Mbrojtja, rëndësia e tij reflektohet në faktin se provat e tij citohen 268 herë në Procedurën Paraprake të Prokurorisë”, thuhet në parashtresën e avokatëve të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
Sipas avokatëve, dëshmia e këtij dëshmitari e cila është pranuar me shkrim, shkon “drejt e në zemër të të gjithë rastit”.
“Në të vërtetë, është e vështirë të mendohet për një dëshmitar tjetër në këtë rast i cili flet në mënyrë thelbësore ose drejtpërdrejt për veprimet dhe sjelljen e të akuzuarit. Dëshmia e [REDAKTUAR] shkon drejt e në zemër të shumë prej çështjeve kyçe të çështjes”, thuhet në ankesë.
“Nëse trupi gjykues është i mendimit se ky dëshmitar është i përshtatshëm për t’u pranuar sipas Rregullës 154, një vendim i tillë ka efektin e bërjes së mbrojtjes së përfshirë në dispozitë të pavlerë. Në të njëjtën mënyrë, nëse Vendimi është i saktë se provat [E REDAKTUAR] mund të pranohen në përputhje me Rregullën 154, atëherë pothuajse çdo dëshmitar në këtë çështje mund të pranohet përmes Rregullës 154 dhe ekzaminimit kryesor dhe parimi i oralitetit do të dorëzohet tek librat e histories”, theksohet më tutje në këtë ankesë të avokatëve.
Vendimi ishte marrë nga trupi gjykues me qëllim të shkurtimit të kohës së gjykimit, por megjithatë mbrojtja ka shprehur pakënaqësi. Andaj, avokatët kanë tri kërkesë kryesore për Apelin e Speciales.
“Çështja e parë: Nëse Trupi Gjykues gaboi në përcaktimin se pranimi i provave [E REDAKTUAR] në përputhje me Rregullën 154 rriti materialisht efikasitetin e procedurave, pa marrë parasysh barrën e pranimit të më shumë se 700 faqeve të intervistave plus 20 prova të lidhura në procesverbal”.
“Çështja e dytë: Nëse Trupi Gjykues gaboi në përcaktimin se rëndësia e provave [E REDAKTUAR] dhe rëndësia e saj me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarit nuk përbënte pengesë për pranimin në përputhje me Rregullën 154”
“Çështja e tretë: Nëse Trupi Gjykues gaboi në ushtrimin e diskrecionit të tij duke mos i dhënë ndonjë peshë faktit që [REDAKTUAR] ishte intervistuar si i dyshuar dhe iu tha se nuk kishte nevojë të thoshte të vërtetën”
Mbrojtja ka kërkuar që vendimi të merret sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi kjo do të ndikonte në përgjethsi te rasti i krerëve të UÇK-së.