Ish-kandidatja për deputete nga PDK-ja, Aida Dërguti, ka thënë që qytetarët e Kosovës duhet të organizohen në protesta masive dhe të bëjnë presion që të mos merret një vendim i padrejtë në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më tutje, ajo tha se nuk mund të merret një vendim i padrejtë në emër të Kosovës.
“Prej sot duhet të ketë mobilizm mbarëkombëtar të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve ideologjike që duhet të angazhohen dhe madje edhe të dalin në sheshe e me protesta për marrjen e vendimit të drejtë”, ka thënë Dërguti në Kosova Today të Klan Kosovës.
“Pra, duhet të bëhet presion”.
“Unë mendoj që duhet të ketë protesta para 16 shtatorit që t’u tregohet se këtu njerëzit nuk e pranojnë një vendim të padrejtë”.
Dërguti shtoi se populli nuk duhet të lejojë Gjykatën që në emër të tyre, UÇK-ja të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale.
“Ndërmarrje e përbashkët kriminale nuk mund të quhet kurrën e kurrës dhe duhet të jetë e papranueshme prej qytetarëve të këtij vendi, prej shqiptarëve”.
“Populli duhet t’i thotë: Në emër të popullit ju nuk e quani Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërmarrje e përbashkët kriminale. Pikë”.






