Deputetja Musliu godet pushtetin: Shalla rozë për fotografi, por votë kundër Qendrës Paliative

- Advertisement -

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas mosmiratimit të amendamentit të propozuar nga deputetja Ariana Musliu-Shoshi për ndërtimin e Qendrës së Kujdesit Paliativ.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu ka kritikuar deputetët e shumicës parlamentare duke e cilësuar si kontradiktor solidaritetin e shprehur përmes shallave rozë me pacientët që përballen me kancerin dhe votimin kundër amendamentit për këtë qendër.

“Sot, në Kuvend, pamë sfilata me shalla rozë, në emër të solidaritetit me pacientët që po përballen me kancerin. Një mesazh që duhet përshëndetur, sepse këta njerëz meritojnë mbështetje, kujdes dhe dinjitet”, ka shkruar Musliu.

Tutje ajo ka shtuar se pacientët kanë nevojë jo vetëm për simbole dhe mesazhe solidariteti, por edhe për shërbime konkrete shëndetësore, kujdes paliativ dhe lehtësim të dhimbjeve.

“Këtu mbaron solidariteti për fotografi dhe fillon përgjegjësia për jetë njerëzish!”, ka shkruar Musliu.

Ndërkaq, deputetja Ariana Musliu-Shoshi ka bërë të ditur se kërkesën për ndërtimin e Qendrës së Kujdesit Paliativ e ka paraqitur vazhdimisht që nga viti 2021. Për këtë projekt, ajo kishte propozuar ndarjen e katër milionë eurove, por amendamenti nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

 

Të ngjashme

Të fundit