Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se “korrupsioni masiv i qeverisë Kurti u konfirmua sot” pasi Prokuroria Speciale nisi hetimet për rastin e faljes së borxheve të kompanive që merren me ambalazhin e ujit, ku sipas raportimeve, në forma joligjore Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e udhëhequr nga Liburn Aliu ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.
Sipas deputetes, “Qeverisë së skandaleve dhe korrupsionit të udhëhequr nga Albin Kurti nuk i kryejnë punë as “12 katët e Dubravës” sepse kanë edhe më shumë njerëz që duhet të burgosen se që “12 katët” kanë vend.”
Reagimi i plotë:
“Korrupsioni masiv i qeverisë Kurti u konfirmua sot pasi prokuroria nis hetimet për faljen ilegale të borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Këta që vodhën në rezerva shtetërore, që vodhën në KEK, me Nagipin e me pare të Serbisë me Martinin, nuk po u ndalen skandalet e hajnisë. Sot, prokuroria nisi hetimet pas publikimeve të Albanian Post lidhur me skandalin e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Qeverisë së skandaleve dhe korrupsionit të udhëhequr nga Albin Kurti nuk i kryejnë punë as “12 katët e Dubravës” sepse kanë edhe më shumë njerëz që duhet të burgosen se që “12 katët” kanë vend.
Hajnat e ambalazhuesve të ujit në burg.”