Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë: Mund të jemi pjesë e qeverisë

- Advertisement -

Deputeti i zgjedhur në Parlamentin e Serbisë, Visar Mehmeti, nuk e përjashton mundësinë që përfaqësuesit shqiptarë të bëhen pjesë e qeverisë së re, nëse arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët me Listën Studentore.

Sot në Klan Kosova, Mehmeti tha se rezultati prej dy ulësesh në parlament është i kënaqshëm, ndonëse synimi i tyre ishte të siguronin tri mandate.

Ai theksoi se ulësja e tretë ishte shumë afër, por nuk arritën ta fitonin. Mehmeti tha se ende nuk dihet nëse do të jenë pjesë e opozitës apo e qeverisjes së re.

Megjithatë, ai pret që pas certifikimit të rezultateve, fituesit t’i ftojnë në bisedime.

“Presim që të kemi padyshim bisedime, të ulemi, ta shpalosim platformën tonë dhe të shohim, ndoshta sado pak e gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe mund të jemi pjesë e qeverisë. Mirëpo, deri tani nuk ka asgjë konkrete”, u shpreh Mehmeti.

Ai e cilësoi arritje sigurimin e dy mandateve, duke marrë parasysh klimën politike në Serbi, ndërsa theksoi se vendimi për përfshirjen në qeverisje do të varet nga bisedimet dhe mundësia e gjetjes së pikave të përbashkëta me subjektin fitues.

Të ngjashme

Të fundit