15.5 C
New York
Friday, May 17, 2024

Buy now

“Dënime të buta”: Mbi 230 mijë armë pa leje në duart e kosovarëve

- Advertisement -

Policia thotë se, deri më tash këtë vit, ka konfiskuar 430 armë të tilla. Sipas të dhënave të saj, nga viti 2020 deri më 18 prill të këtij viti, janë ngritur 5.895 raste në gjykata lidhur me veprën penale: “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve”.

Ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë përpjekje të shtuara për konfiskimin e tyre, duke thënë se qytetarët që i posedojnë ato, cenojnë sigurinë publike, por edhe veten e tyre. Vetëm gjatë prillit, në Kosovë u vranë dy gra – njëra në Ferizaj dhe tjetra në Pejë. Policia konfirmoi se të dyshuarit për vrasje – në të dyja rastet bashkëshortët – përdorën armë pa leje.

Policia nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se sa është numri i vrasjeve në Kosovë deri më tash këtë vit. Por, vitin e kaluar, ky institucion i konfirmoi REL-it se në periudhën janar-tetor 2023, u evidentuan 26 vrasje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2022 ishin 21. Organizatat joqeveritare që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, konsiderojnë se dënimet e ulëta për armëmbajtje pa leje, bëjnë që shumë qytetarë të kenë armë të tilla.

Për armëmbajtje pa leje, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh gjoba deri në 7.500 euro ose dënim me burgim deri në 10 vjet.

“Rrallë dënime me burgim efektiv”

Lavdim Makshana, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se rastet e armëmbajtjeve pa leje, gjykatat “i trajtojnë me politika të buta ndëshkimore”.

“Në vazhdimësi, ato gjykohen sikur të ishin kundërvajtje, ani pse parashihen dënime të rënda. Gjykatat vazhdimisht shqiptojnë dënime me gjobë dhe me kusht, shumë rrallë dënime me burgim efektiv”, thotë Makshana për Radion Evropa e Lirë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) thotë po ashtu se, gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore, ka vërejtur mangësi “sa i përket konsistencës dhe arsyetimit të vendimeve ndëshkimore për posedim të paligjshëm të armëve”.

Më 16 prill, OSBE-ja publikoi raportin “Politika ndëshkimore në rastet e posedimit të paligjshëm të armëve”, ku analizoi 33 raste në lidhje me këtë vepër penale, nga dhjetori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2023.

Prej tyre, 31 rezultuan me gjobë nga 200 deri në 2.000 euro, ndërsa, në dy raste, të pandehurit u dënuan me burgim me kusht, 90 ditë, përkatësisht gjashtë muaj.

Gjobat më të shpeshta ishin 400 euro në nëntë raste, ndërsa maksimalja prej 2.000 eurosh u shqiptua vetëm në një rast.

Në vitin 2019, një raport të ngjashëm publikoi edhe IKD-ja, e cila analizoi gati 200 raste të armëmbajtjeve pa leje. Prej tyre, në 133 raste gjykatat shqiptuan gjoba, në 46 dënime me kusht dhe në 19 dënime me burgim.

Makshana thotë se IKD-ja ka kërkuar disa herë që të shqiptohen dënime më të rënda, në mënyrë që armëmbajtja pa leje të reduktohet. Pas rastit të vrasjes në Ferizaj, më 12 prill, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi po ashtu “ashpërsim të dënimeve për armëmbajtje pa leje”, si dhe “të analizohet sesi sigurohen ato armë”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa është numri i përgjithshëm i aktgjykimeve për këtë vepër penale në katër vjetët e fundit, si dhe sa raste janë dënuar me burg efektiv, ndëshkim me gjobë apo kusht.

Armët pa leje – “rrezik për sigurinë publike”

Disa qytetarë, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, shprehen të shqetësuar me numrin e armëve pa leje që qarkullojnë në Kosovë.

Xhemajl Abrashi thotë se organet e rendit duhet t’i rrisin kontrollet, por edhe vetë qytetarët, sipas tij, duhet ta informojnë policinë nëse kanë informata se dikush mban armë pa leje.

“Sa vrasja është duke ndodhur… Ai që ka armë, vret, dhe jo ai që nuk ka”, thotë ai.

Bukurije Hoxha thotë se vrasjet që po ndodhin, duhet të jenë alarm për policinë.

“Edhe një vrasje brenda vitit të ndodhë, është shumë”, sipas saj.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, nga Asociacioni i Kriminologëve dhe Kriminalistëve të Kosovës, thotë se policia duhet t’i rrisë kontrollet nëpër vetura, sepse, nisur nga raportet e saj, armët pa leje shumë shpesh gjenden në vetura.

“Shumë armë që kanë mbetur si rezultat i luftërave të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, janë në duart e qytetarëve. Ato nuk e rrezikojnë vetëm sigurinë publike, por mund të kenë edhe atribute drejt cenimit të sigurisë nacionale”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se autoritetet kompetente duhet të mbajnë fushata të ndërgjegjësimit, në mënyrë që qytetarët që posedojnë armë pa leje, t’i dorëzojnë ose të pajisen me leje.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, për nëntë muaj të vitit 2019, realizoi një proces të legalizimit të armëve, ku u dorëzuan rreth 2.000 kërkesa.

Një proces i tillë i legalizimit “duhet të ndodhë prapë, por mbetet të përcaktohet me ligj”, thonë nga MBP-ja për Radion Evropa e Lirë.

Kush mund të pajiset me armë?

Ligji për armët në Kosovë parasheh përmbushjen e disa kushteve për t’u pajisur me armë.

Mes tyre janë: mosha 21-vjeçare, aftësia ligjore për veprim, aftësia psiko-fizike, të mos rrezikojë veten, sigurinë publike, si dhe të deklarojë arsyen e blerjes së armës.

Por, arma, përkundër lejes, mund të konfiskohet me vendim gjyqësor, nëse poseduesi humb aftësinë e veprimit, aftësinë psiko-fizike, dënohet për vepër penale ose shkel kushtet e përcaktuara.

Nga Ministria e Brendshme e Kosovës nuk dhanë informacione se sa është numri i armëve me leje në Kosovë, por thanë se “deri në vitin 2010 ishin rreth 35.000 armë të regjistruara në administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Tani, këto armë janë duke u regjistruar gradualisht sipas Ligjit të armëve”.

Në Kosovë janë të licencuara disa poligone dhe dyqane, të cilat shesin armë në mënyrë legale. Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa pronarë të këtyre dyqaneve, të cilët treguan se çmimet e armëve shkojnë deri në 4.500 euro, varësisht llojit. Sipas tyre, interesim për blerje ka dhe arsyeja e blerësve kryesisht lidhet me shenjëtari.

Dogana e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it se nga cilat shtete importohen armët në Kosovë, por pronarë të dyqaneve thanë se, në shumicën e rasteve, ato vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Çekia./Rel/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit