Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Agron Kyçyk me 4 muaj burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej 1 viti, si dhe me dënim plotësues, ndalim për 6 muaj të qasjes në rrjetet sociale, për shkak të kanosjes ndaj gazetarit të KTV-së, Ardit Kika.
I akuzuari, Kyçyk, e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Kanosje” ndaj Kikës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret këtë vendim dhe e sheh atë si shumë të rëndësishëm në betejën për ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve. AGK-ja gjithashtu vazhdon t’i bëjë thirrje gjyqësorit për politika më të ashpra ndëshkimore ndaj sulmeve kundër gazetarëve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e medias në Kosovë.
Kika ishte kërcënuar online pas raportimit në KTV për një fabrikë të rreme të dronëve ushtarakë në Gjilan.
I dënuari i kishte shkruar Kikës: “Këta i ndal vetëm likuidimi në emër të popullit, boll i duruam mo, hala t’u i pas varret e freskëta nga lufta, merre me mend këta punojnë për sh*a e Rusi, Amerika po na armatos dhe mundohet sa më shpejt me na anëtarësu në NATO e mediat tona merre me mend çfarë dezinformata shpifin, klm.”
AGK-ja i inkurajon të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve ndaj tyre në Policinë e Kosovës.






