10.7 C
New York
Sunday, November 10, 2024

Buy now

Dëmtohet rruga në Viti që u shtrua para tre muajsh

- Advertisement -

Rruga që lidh dy fshatra në Viti brenda tre muajsh u dëmtua duke u bërë kështu vështirë e kalueshme. Opozita akuzon Komunën për neglizhencë të punimeve. Derisa nga niveli lokal thonë se po intervenohet në ato pjesë ku ka dëmtime.

Shtrimi i saj me asfalt ishte bërë në muajin maj.

Por brenda tre muajve në të u shfaqën disa prishje.

Kështu rruga që lidh dy fshatrat e Vitisë, Skifteraj e Remnikun u bë vështirë e kalueshme për banorët e kësaj zone.

Të mllefosur ishin banorët e këtyre lokaliteteve, që nuk pranuan të flasin para kamerës por që prapa saj, thanë se brenda muajit kjo rrugë është dëmtuar.

Shqetësuese këto prishje të rrugëve po i quajnë edhe nga opozita në këtë qytet, që akuzojnë qeverisjen lokale për neglizhencë të punimeve.

“Këto punime në fakt janë pasqyrim i neglizhencës komunale dhe punës e cila bëhet shkel e shko në komunën tonë. Fatkeqësisht, kur shikon buxheti i Komunës së Vitisë në masë të madhe orientohet në këtë pjesë pra në asfalt, trotuare e në shtrimin e rrugëve gjë që për neve kjo nuk është në rregull për shkak se edhe këto punë që bëhen, bëhen shkel e shko”, tha asamblistja e LVV-së në Viti, Liridona Bislimi.

Bislimi thotë se ky nuk është rasti i vetëm që punët nuk janë kryer në nivelin e duhur.

“Kemi pasë rrugën e cila lidhë komunën e Vitisë në qendër të qytetit deri tek fshati Sllatinë, ku për një rrugë le të themi diku 3-4 kilometra kemi pasë diku 28 harrnime brenda asaj rruge, kemi trotuare të ngjashme dmth për rrugën Viti – Ramnishtë e të tilla”, tha Bislimi.

Por nënkryetari i Komunës, Hasan Aliu thotë se për të gjitha rrugët që shtrohen, ka një garancion dhe operatori detyrohet t’i rregullojë të gjitha prishjet.

“Për me tregu seriozitetin e Komunës, tregon çështja se ajo rrugë ka pasë garancion dhe ajo rrugë është hjekë bukur gjatë dhe do të ri-asfaltohet sërish. Prandaj, kur i kemi këto elemente atëherë nuk të lë me dyshu se ka neglizhencë të Komunës, por këto mund të ndodhin, ndodhin edhe në shtetet më të zhvilluara dhe do të eliminohet edhe ajo të cilët është dëmtu ai asphalt në kohën të cilën e ka garancionin”, tha Aliu.

Ai ka edhe një kërkesë për opozitën në këtë qytet.

“Ka edhe çështje të cilat ndoshta do të ishte shumë më mirë me u merr me disa çështje që e çojnë në progres Vitinë, e jo për çështje të cilat në të vërtetë nuk e kanë asnjë bazë dhe të akuzohet udhëheqia komunale”, tha nënkryetari i Komunës.

Opozita ka akuzuar nivelin lokal edhe për mosrealizimin e premtimeve nga kryetari aktual edhe në disa fusha tjera.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit