Analisti Arton Demhasaj duke komentuar takimin e sotëm të palës kosovare e asaj serbe në Bruksel, për të diskutuar çështjen e dinarit, ka deklaruar se çështja e pasaportave është më e rrezikshme për sovranitetin e vendit, se sa dinari.
Demhasaj ka vlerësuar se çështja e pasaportave, që i nxjerr një Qendër Koordinuese në Nish e që ato pasaporta qytetarët serb të Kosovës nuk i trajtojnë si qytetarë të Republikës së Kosovës, por si qytetarët të Republikës së Serbisë është shumë më e dëmshme për Kosovën se sa dinari.
“Qeverisë po i duket që më e rëndësishme është tema e dinarit për sovranitetin e Kosovës, sesa çështja e pasaportave që i nxjerr një Qendër Koordinuese në Nish e që ato pasaporta qytetarët serb të Kosovës nuk i trajtojnë si qytetarë të Republikës së Kosovës, por si qytetarët të Republikës së Serbisë. Pra, kjo është temë shumë më e ndjeshme. Çështja e pasaportave mendoj që është shumë më e rrezikshme dhe shumë më dëmtuese për Kosovën sesa dinari. Po çuditëm se si kjo qeveri ngul këmbë të dinari, madje me një seri gënjeshtrat”, u shpreh ai në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË 1.
Sipas Demhasajt, nuk ka rrugëdalje nga Asociacioni, por që procesi i dialogut do të duhej të përfundonte me një triumf për Kosovës që është, njohja reciproke.
“Nuk ka rrugëdalje për Asociacionin, sepse ne i kemi nënshkruar marrëveshjet. Ideja është kjo, që është dashtë me vendos kusht, kur vendos kushte të tilla mendoj që krejt popullin e Kosovës, partitë politike i ke mbrapa kur thua që “po, do ta bëjmë Asociacionin në bazë të marrëveshjes 2013, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, mirëpo do ta bëjmë kur edhe Serbia i ka indicet që ka me i respektuar pjesët e para të marrëveshjes, me njohje të pasaportave, me njohje të vulave doganore, me hapje të misioneve të përhershme të ndërsjellë”, që në një far formë po konsiderohet një njohje faktike që madje mund të themi nuk është triumfi maksimal që Kosova është dashtë me arrit në këtë proces, sepse triumfi maksimal ka qenë në momentin kur Kosova e bën Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Serbia është dashtë me shkuar drejt njohjes reciproke, më përkundur ky proces” shtoi ai.
Parlamenti Evropian javën e kaluar ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd.