Demaku: S’pres vullnet nga VV-ja për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Demaku, ka deklaruar se nuk pret vullnet dhe gatishmëri nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe kryetari i saj, Albin Kurti, për ta përkrahur projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, i njohura si Gjykata Speciale në Hagë.

Ky projektligj është proceduar në Kuvend nga PDK-ja.

Demaku, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se, sipas tij, nuk ka bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e të drejtave të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“Kur thonë se do ta shikojmë me kujdes juridikisht nismën tonë ligjore, kjo që në start tregon se nuk është dëshira dhe vullneti i duhur. Unë nuk pres ndonjë vullnet dhe ndonjë pozitivitet nga LVV-ja dhe Kurti, sepse këtë nuk e ka bërë për gjashtë vite. Përkundrazi, jo që nuk ka dhënë asnjë lloj kontributi në këtë drejtim, por edhe ka qenë i dëmshëm. Roli i tij ka qenë krejtësisht në dëm të procesit dhe jo duke i shërbyer pozitivisht procesit. Asgjë nuk ka bërë Qeveria e Kosovës për ta mbrojtur të drejtën e vet. E ka vendosur në rrafshe personale: ‘Janë katër persona atje, mua nuk po më interesojnë dhe vazhdojmë më tutje’. Do të thotë, kjo logjikë e mbrapshtë ka funksionuar për gjashtë vite”, ka deklaruar ai.

Sa i përket ndryshimit të ligjit, Demaku është shprehur i bindur se një gjë e tillë është e mundur, nëse ekziston vullneti politik i deputetëve.

“Gjithçka është e mundshme dhe gjithçka mund të arrihet. Kemi të drejtë ta bëjmë këtë, vetëm duhet vullnet dhe vendosmëri për ta bërë. Unë çuditem sesi thonë njerëzit se nuk mund të bëhet një ndryshim ligji. Po si nuk bëhet? Bëhet. Por vetëm duhet vullnet nga partitë politike dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës për ta bërë. Të mos kesh dëshirë dhe vullnet për ta bërë ndryshimin është një çështje tjetër, ndërsa nëse mund të bëhet apo jo është çështje tjetër”, ka përfunduar Demaku.

Ndryshe, të hënën grupi parlamentar i PDK-së ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Kryetari i kësaj partie Bedri Hamza, gjatë një konference për media në objektin e Kuvendit tha se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas dokumentit për ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen argumentohet se nevoja e ndërhyrjeve në ligj vjen pas vendimit të 16 shtatorit ku UÇK-ja “u kualifikua si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’”.

Aleanca ka deklaruar se e mbështet nismën, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do ta shqyrtojë atë nga aspekti juridik.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka një qëndrim zyrtar.

Të ngjashme

Të fundit