Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar zhvillimet e fundit në Kuvend, duke thënë se shumica parlamentare po përpiqet ta paraqesë situatën si normale, pavarësisht, sipas saj, shkeljeve të rendit kushtetues.
Deliu-Kodra ka deklaruar se Kosova po rrezikon të shkojë drejt anarkisë për shkak të, siç e ka quajtur ajo, “përmbysjes së rendit kushtetues”, duke përmendur edhe shkeljen e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Kemi një kastë politike e cila me vetëdije merr vendime që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës. PDK-ja s’do të rrijë duarkryq, do të bëjmë përpjekje me të gjitha forcat, qoftë me veprime brenda Kuvendit, sepse ai është vendi i deputetëve”, ka deklaruar Deliu-Kodra në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Ajo ka kritikuar shumicën parlamentare, duke thënë se nuk po qeveris, por po bllokon edhe jetën politike të opozitës.
“Me të gjitha format demokratike, me të gjitha rrugët e mundshme, do të jemi kudo për ta penguar këtë përpjekje të delegjitimim të institucioneve”, është shprehur ajo.
Ndër të tjera, deputetja e PDK-së ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje se nuk e njohin Kushtetutën.






