Dehari cakton seancën më 9 shtator, thirret në marrëveshjen VV-LDK për kandidaturën e Bekim Sejdiut

- Advertisement -

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator.

Dehari në një postim në Facebook tha se këtë vendim e mori duke u thirrur në marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje e LDK’së me kandidat për President, Bekim Sejdiun.

Dehari tha se “pret” që deri më 9 shtator deputetët të jenë të gatshëm “për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”.

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar më 7 gusht. Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit kushtetues pas kërkesës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për “kohë shtesë”, të cilën ia aprovoi bashkëpartiaku i tij, Dehari, si deputeti më i vjetër i legjislaturës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës njoftuan për një marrëveshje mes vete me kandidaturën e Bekim Sejdiut për President.

Por, këtë marrëveshje nuk e përkrahën gjashtë deputetë të LDK’së, pa votat e të cilëve Sejdiu nuk mund të zgjidhet.

Ndërkohë, partitë tjera e kanë akuzuar Kurtin për cenim të rendit kushtetues dhe uzurpim të institucioneve.

Të ngjashme

Të fundit