Analisti, Ilir Deda ka thënë se pjesë e strategjisë për korrigjimin e vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duhet të jetë edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë se pa qenë pjesë e kësaj organizate është e pamundur me sigurua mbrojtja.
“Pa Këshill të Evropës kemi me pas debat të madh në këtë shoqëri. Nëse nuk është anëtarësimi në Këshillin e Evropës pjesë e kësaj strategjie, shumë kemi me pas debat. Është e pavlerë. Bë ti çfarë të duash, pa qenë anëtarë i Këshillit të Evropës nuk mundesh me sigurua mbrojtjen juridike të njerëzve tu”, ka thënë Deda në emision “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Por, deputeti i LVV-së Valon Hoti ka thënë se nuk do t’i mbajnë të gjitha shpresat në Këshillin e Evropës.
Ai është shprehur se beteja duhet të fitohet në Apel me faktet që sipas tij janë në anën e Kosovës.
“Këshilli i Evropës është edhe vendim politik i shteteve anëtare dhe nuk pajtohem që ta varim shpresën aty, të punohet edhe në atë drejtim të jetë pjesë e strategjisë, pro drejtësinë në Apel duhet ta fitojmë me faktet të cilat janë në anën tonë”, ka thënë Hoti.
Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, ndonëse aplikimi i saj ka kaluar në Asamblenë e Përgjithshme, por jo edhe në Këshillin e Ministrave të vendeve anëtare. Në këtë këshill nuk ka hyrë në rend dite çështja e pranimit të Kosovës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.






