Daut Haradinaj nga Aleanca, në një intervistë për Periskopin ka thënë se opozita është pjesë drejtpërdrejte përgjegjëse e situatës aktuale në vend.
E gjitha kjo, sipas Haradinajt është për shkak të mos bashkëpunimit të sinqertë mes liderëve opozitarë.
Tutje Haradinaj thotë se opozita nuk arriti t’a sfidojë këtë qeveri me faktin se për gjashtë vjet nuk arriti të organizoj një protestë, kur ka pasur mundësi dhe arsye.
“Opozita në përgjithësi ka qenë e lënduar. Perceptimi publik ndaj opozitës nuk ka qenë më i miri. Pastaj mungesa e lidershipit në PDK, të jemi të sinqertë, me gjithë respektin për Bedri Hamzën, Memli Krasniqin që unë i çmoj pa asnjë diskutim – e kanë kry detyrën qysh iu ka hije, por nuk janë as Hashim as Kadri. Edhe LDK ka pasë trauma të shpeshta. Ndërrimi i lidershipit, strukturave, humbja në disa komuna serioze – u pa që kjo parti është e traumatizuar. Edhe sot e kësaj dite, ka problem me nxjerr identitetin e lidershipit. Dhe, si Aleancë numrat nuk i kemi pasë stabil, numra të limitum. Pastaj, prishja e koalicionit mes garuesve të Aleancës, në këtë rast, Limaj-Haradinaj”.
“Mendoj që opozita është pjesë drejtpërdrejte përgjegjëse e kësaj situate. Nuk kemi arritë me pase bashkëpunim. Nuk kemi arritë me pasë ofertë para qytetarëve të unifikuar. Nuk kemi demonstru bashkëpunim të sinqertë, as në Kuvend as në rrugë dhe as me qytetarë. Ne gjithë jemi anku nëpër studio, kriza, rryma shtrenjtë, inflacioni, e të tjera, por ne nuk kemi qenë në gjendje me bë një protestë në sheshin Nënë Tereza për 6 vjet”.
“Mundësi dhe arsye kemi pasë. Nëse e ktheni pak kujtesën për 6 vjet një protestë të vetme nuk e kemi në këtë aspekt. Ka ardhë Kosova në situatë kur Njësitë Speciale të maskuar me protestu para objektit të Qeverisë – ndërsa qytetarë opozitarë kanë hesht. Kjo është send që duhet me kritiku veten pak. Tash, kjo legjislaturë që po vjen, shpresoj që kanë me i hap sytë e me qenë më kritik. Protesta është mjet demokratik. Nuk do të thotë që ka me të dëgju Qeveria, por duhet me ngritë zërin. Duhet me i ndalë këto grupe mafioze që e shkatërrun popullin në aspektin e shitblerjes së rrymës. Kemi arritë në shifra miliardëshe tu ble rrymë në Serbi”, deklaroi ndër të tjera, z. Haradinaj.






