Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së Kuvendit të Kosovës pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar veprime konkrete përballë Gjykatës Speciale.
Haradinaj ka thënë se një deklaratë e tillë merr kuptim vetëm nëse brenda kësaj jave Kuvendi miraton ligjin që do ta zhbënte Gjykatën Speciale.
Kjo deklaratë e stërvonuar, 13 ditë pas vendimit dënues, merr kuptim vetëm nëse brenda kësaj jave miratohet në Kuvend ligji i cili e zhbën Gjykatën Speciale. Të gjitha të tjerat, përfshirë edhe takimet e errëta, janë thjesht kalkulime politike.
Logjika e kontestimit të lartësisë së dënimit – “dënim i rëndë apo dënim i lehtë”, nuk përkon me kombin shqiptar, i cili është ngritur në këmbë në të gjitha sheshet e botës, me të vetmen thirrje:
JO NË EMRIN TIM!
Haradinaj ka theksuar se, sipas tij, debati nuk duhet të reduktohet në lartësinë e dënimeve, por në kundërshtimin e vetë procesit dhe në kërkesën e shprehur përmes protestave: “Jo në emrin tim.”






