Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave është mposhtur me rezultat minimal 1:0 nga Kroacia, në ndeshjen e zhvilluar të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Grupit C2 të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027. Me të njëjtin rezultat Dardanet kishin fituar ndeshjen e parë në Kroaci.
Ndeshja u vendos në minutën e 15-të, kur Karla Kurkutoviq shënoi drejtpërdrejt nga goditja e këndit për epërsinë e kroateve.
Pas golit të pësuar, Dardanet u përpoqën të riktheheshin në lojë, duke shtuar angazhimin dhe presionin në kërkim të barazimit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe shumë rasteve para portës kroate, rezultati mbeti i pandryshuar.
Pas kësaj ndeshjeje, Kosova renditet në pozitën e dytë të grupit me 12 pikë, po aq sa ka edhe Kroacia, e cila kryeson falë goldallimit më të mirë.
Pavarësisht humbjes, Kosova vazhdon të ketë mundësi shumë të mira për ta siguruar pjesëmarrjen në fazën e “play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Dardanet do ta zhvillojnë ndeshjen e fundit në udhëtim kundër Gjibraltarit, të martën, ku me fitore do ta siguronin avancimin në “play-off” si njëra prej dy kombëtareve më të mira të renditura në pozitën e dytë në Ligën C.
Njëkohësisht, Kosova mbetet në garë edhe për vendin e parë të grupit. Kroacia në ndeshjen e fundit do të përballet me Bullgarinë, derisa aktualisht ka epërsi prej dy golash në goldallim ndaj Kosovës.
Ndeshjet e fundit do të jenë vendimtare për renditjen përfundimtare të grupit, me Dardanet që do të synojnë fitoren dhe realizimin e objektivit për avancim në fazën tjetër.






