Gjatë vizitës në Vushtrri, trajneri i FC Vushtrria, Armend Dallku, ka ngritur si shqetësim çështjen e borxhit të akumuluar të klubit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), i cili sipas deklarimeve arrin vlerën prej 181 mijë euro dhe daton që nga viti 2020.
Trajneri ka kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbështetje institucionale për të ndihmuar në menaxhimin dhe gjetjen e një zgjidhjeje për këtë obligim financiar, duke theksuar se kjo mbetet një nga sfidat me të cilat përballet klubi.
Kurti ka premtuar se institucionet do të shqyrtojnë mundësitë për trajtimin e rastit dhe se, brenda suazave ligjore dhe kompetencave përkatëse, do të mundohet të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje.
FC Vushtrria këtë sezon ka siguruar rikthimin në Superligën e Kosovës, ndërsa krahas suksesit sportiv, synon edhe stabilizimin e gjendjes financiare dhe adresimin e obligimeve të mbetura nga vitet e kaluara.






