Pamje të reja janë publikuar nga përplasja mes Joz Markut dhe Eduard Kuçit, duke sjellë një tjetër sekuencë nga incidenti që ditët e fundit ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale.
VoxNews ka publikuar një video të re, në të cilën Jozi dhe Edi shihen përballë njëri-tjetrit. Në një moment të pamjeve, Jozi shihet duke e goditur Edin me shuplakë, ndërsa më pas dëgjohet duke i thënë: “Ulu në gjunjë”.
Në vazhdim të videos, Edi shihet duke u ulur në gjunjë.
Pamjet e publikuara së fundmi janë një tjetër fragment nga incidenti për të cilin Edi kishte reaguar një ditë më parë, pasi në rrjetet sociale ishte shpërndarë edhe një video tjetër nga përplasja.
Ai e kishte shoqëruar publikimin me mesazhin: “Pabesia dhe tradhtia kanë rrëzuar edhe mbretër! 15 me 1 në konakun e tyre! Shikim të këndshëm”, duke pretenduar se gjatë incidentit kishte qenë i vetëm përballë një grupi personash.
Materiali i ri i publikuar nga VoxNews sjell një tjetër kënd të ngjarjes, ndërsa deri më tani palët kanë dhënë versione dhe reagime të ndryshme rreth asaj që ka ndodhur.
Rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale.






