Lajme

Daçiq thotë se perëndimi duhet t’i bëjë edhe më shumë presion Kurtit

By GAZETA SCANNER

September 13, 2023

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq nuk pret përparim gjatë raundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pasi që Perëndimi nuk është i gatshëm t’i bëjë presion shtesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të filluar normalizimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve.

“Do të doja të shihja një përparim gjatë raundit të ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, megjithatë nuk kemi shumë shpresë shkaku i Kurtit, por edhe për shkak të hezitimit të njerëzve nga Perëndimi për t’i bërë presion shtesë në mënyrë që ai të niset drejt rrugës së normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai.

Daçiq, i ftuar në B92, tha se Serbia duhet dhe dëshiron të bisedojë dhe se do të jetë gjithmonë pjesë konstruktive e dialogut, por që Perëndimi nuk e kupton se Kurti “dëshiron të arrijë synimet e tija me forcë”.

“Negociatat duhet të jenë neutrale ndaj statusit, por nuk janë. Pastaj na kritikojnë pse marrim pjesë në bisedime. Por, Serbia nuk duhet të shpallet fajtore pasi që në këtë formë, para se gjithash, do të vuajnë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha kryediplomati i Serbisë, raporton nova.rs.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen nesër (e mërkure) në Bruksel në kuadër të një raundi të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në fokus të takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Vuçiq dhe Kurti arritën marrëveshje në Ohër më 18 mars të këtij viti.