Në Portugali, mediat rozë, por edhe ato të përgjithshme, po raportojnë se Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez mund të kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë këtë javë. Sipas spekulimeve të orëve të fundit, ceremonia pritet të zhvillohet mes të premtes dhe të shtunës në një zonë pranë Lisbonës.
Vetë ylli portugez kishte deklaruar më herët, në një intervistë për Piers Morgan, se martesa do të mbahej pas përfundimit të Kupës së Botës, por pa zbuluar datën apo vendin e ceremonisë.
Fillimisht u përfol se dasma do të organizohej në Madeira, ishulli ku lindi Ronaldo. Megjithatë, së fundmi ka marrë hov hipoteza se ceremonia mund të mbahet në Sintra, në vilën e njohur neogotike Quinta da Regaleira.
Spekulimet u forcuan pasi institucioni që administron monumentin nuk i mohoi zërat, duke u kufizuar në një “pa koment”, gjë që nxiti edhe më shumë aludimet.
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez janë në një lidhje prej dhjetë vjetësh dhe së bashku po rrisin pesë fëmijë, tre prej të cilëve kanë lindur para nisjes së marrëdhënies së tyre. Çifti njoftoi zyrtarisht fejesën në gusht të vitit 2025.






